Shkup, 21 shkurt – Nëse ndonjë qytetar ka të drejtë të flasë në gjuhën e tij amtare, me këtë nuk humbasin qytetarët e tjerë, por fiton Republika e Maqedonisë së Veriut, si një shtet qytetar dhe demokratik, ka shkruar kryeministri, Zoran Zaev në Fejsbuk.
Siç thekson, në të gjithë botën sot nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara dhe UNESKO-s, organizohen ngjarje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të gjuhës amtare për promovimin e edukimit dhe afirmimit të të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës dhe për mbështetje të zbatimit të strategjive dhe politikave në përfitim të larmisë së gjuhëve në të gjitha pjesët e botës.
Zaev tha se koncepti i diversitetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të pranohet si një urë ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike në vend në arritjen e shoqërisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët në vendin tonë, si një nga qëllimet e Qeverisë.
“U përcaktuam për politikat që e ndërtojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut si shtet qytetar të të gjithë atyre që jetojnë në të: maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë dhe të gjitha bashkësitë e tjera. Ne krijojmë politika gjuhësore që u përshtaten nevojave të qytetarëve të të gjitha bashkësive etnike. Nëse ndonjë qytetar ka të drejtë të flasë në gjuhën e tij amtare, atëherë me këtë nuk humbasin qytetarët e tjerë, por fiton Republika e Maqedonisë së Veriut, si një shtet qytetar dhe demokratik. Qëllimi ynë është të ndërtojmë shoqëri qytetare, në të njëjtën kohë me respektimin e ndryshimeve shoqërore, etnike, kombëtare, fetare dhe kulturore. Ai komunitet që është ndërtuar me shekuj, për ne është një detyrim për të ardhmen tonë të përbashkët dhe kjo është arsyeja pse me të drejtë themi se dallimet e shoqërisë sonë i konsiderojmë si avantazhin tonë. Për pasurinë tonë të përbashkët. Për progresin tonë”, ka shkruar Zaev.