Shkup, 13 gusht – Të gjithë ata që në një mënyrë ishin të përfshirë në procesin e nënshkrimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit duhej të merrnin pjesë në shënimin e 17 vjetorit të nënshkrimit të saj që u mbajt në Klubin e deputetëve me panel diskutimin me temë “Rruga deri në Bruksel përmes Ohrit”.
Këtë sot e porositi kryeministri Zoran Zaev pas përfundimit të diskutimit, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se pse në shënimin e përvjetorit nuk morën pjesë nënshkruesit, ish kryetarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Branko Cërvenkovski dhe Lupço Gerogievski.
Në shënimin e përvjetorit nuk ka qenë i pranishëm as edhe zëvendëskryeministri i angazhuar për Marrëveshjen e Ohrit, Hazbi Lika. Këtë vit për herë të parë organizator i përvjetorit është Sekretariati për çështje evropiane i udhëhequr nga Bujar Osmani, në vend të Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit, siç ishte deri tani.
“Edhe unë në këtë ngjarje jam mysafir, isha i ftuar dhe iu përgjigja ftesës. Pyetni dy nënshkruesit, ish kryetarët e LSDM dhe VMRO-DPMNE. Duhej të merrnin pjesë dhe të vërtetonin kontributet e marrëveshjes. Nevojitet që ta ushqejmë këtë frymë. Unë sot shpreha respekt ndaj të gjithë nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe ata që nuk janë mes të gjallëve.
Të gjithë ata dhanë kontribut, e shmangën konfliktin dhe filluan të ndërtojnë një shoqëri për të gjithë në këtë bashkësi tonën multietnike”, ka thënë Zaev.
Lidhur me atë se deri ku është analiza për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Zaev ka theksuar se Ligji i gjuhëve është aspekti i fundit juridiko- formal.
Thekson se në kohë adekuate Ligji i gjuhëve do të gjendet në Gazetën zyrtare.
“Duhet të kemi durim. Ligji i gjuhëve dy herë është votuar në Kuvend. Besoj se në kohë të përshtatshme do të publikohet në Gazetën zyrtare. Besoj dhe apeloj që presidenti i shtetit të vendos nënshkrimin në dy ligjet e rëndësishëm. Ligji i gjuhëve dhe Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, sepse nëse sillemi kështu të gjithë do ta sjellim në pikëpyetje institucionin më të rëndësishëm në shtet. A ka kuptim ekzistimi i saj në një demokraci parlamentare, pasi teoretikisht presidenti mund të vendos edhe në 170 ligjet e ardhshme, si edhe gjithçka në shtet, të mos i nënshkruajë”, ka thënë Zaev.
Theksoi se bëhet analizë edhe për përfaqësimin e pjesëtarëve të bashkësive etnike nëpër institucione publike, duke shtuar se përfaqësimi i bashkësisë etnike shqiptare është 19 për qind. Ai ka theksuar se punohet edhe në përfaqësimin e drejtë të bashkësive tjera etnike.