Kryeministri, Zoran Zaev, i cili është për vizitë zyrtare në Rumani së bashku me delegacionin qeveritar, sot u takua me kryetarin e Dhomës së deputetëve Liviu Dragnea si edhe me zëvendëskryetarin e Senatit të Rumanisë, Julian Klaudiu Manda.
Në Dhomën e deputetëve është kumtuar lajmi se dje në mënyrë unanime është ratifikuar Protokolli për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Janë shprehur përgëzime se shteti ynë shkroi histori, si brenda vendit ashtu edhe në rajon dhe në Evropë, përmes politikave vizionare dhe mënyrën në të cilën u janë qasur dhe janë zgjidhur çështje të rëndësishme për të ardhmen, kumtoi pres shërbimi qeveritar.
Kryeministri Zaev u falënderua për mbështetjen e madhe nga Romania dhe për atë që vendi është në mesin e vendeve të para që iu qas ndaj nënshkrimit të Protokollit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Ju falënderoj për respektin. Për ne anëtarësimi në NATO është qëllim i madh strategjik. Të rëndësishme janë paqja, stabiliteti, siguria por këto do të thonë edhe ekonomi. Qëllimi ynë është t’i konfirmojmë peripecitë se Maqedonia e Veriut mund të jetë edhe “çudi ekonomike””, tha Zaev.
Në këtë drejtim veçanërisht kujdes i është kushtuar biznes forumit të planifikuar prej të dyja vendeve, intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe këmbimit të përvojave në planin ekonomik. Ndërsa është folur edhe për zhvillimin e bashkëpunimit në sferën e kulturës, arsimit, lidhjes me gaz, infrastrukturë, qëndron në kumtesë.
Në Senat ku duhet të përmbyllet ratifikimi i Protokollit për inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO është paralajmëruar se janë duke vijuar procedura të përshpejtuara që kjo të ndodh gjatë javës së ardhshme. Janë shprehur përgëzime të sinqerta për qasjen e guximshme të kryeministrit Zaev në zgjidhjen e çështjeve politike, në mënyrë evropiane.
Kryeministri i përshëndeti të gjitha angazhimet e Rumanisë për integrimet euro-atlantike të vendit tonë dhe shfaqi shpresë se nga kryesimi rumun në BE, do të dalë hapja e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Paraprakisht, Zaev u takua me kryeministren rumune, Viorika Dançilla, e cila deklaroi se pret përmbyllje të shpejtë të procesit të ratifikimit të Protokollit për pranimin e vendit në NATO dhe se Maqedonia e Veriut sa më shpejtë të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës.(koha.mk)