Shkup, 25 korrik – Procesi i negociatave pas marrjes së ftesës në Bruksel është motivim shtesë për institucionet, për të gjithë në administratën publike dhe për qytetarët e vendit, për kontribut në këtë fazë e cila na çon më afër sigurisë së garantuar në shoqërinë e vendeve-anëtare dhe aleate në NATO, që hap edhe perspektiva për zhvillim plotësues ekonomik të vendit tonë.
Këtë e porositi kryeministri Zoran Zaev në takimin e sotëm me delegacionin e NATO-s, i kryesuar nga Xhejms MekKi, i cili është për vizitë në vend, me ç’rast edhe zyrtarisht u shënua fillimi i negociatave inkuadruese për hyrje në Aleancë.
Drejtori i partneritetit euroatlantik dhe global në sektorin për çështje politike dhe të sigurisë në shtabin e NATO-s MekKi theksoi se vizita e tij në vend ka për qëllim të dërgojë mesazh të qartë dhe të fuqishëm se Aleanca e shënon fillimin e bisedimeve për inkuadrim dhe se në periudhën e ardhshme në çdo dy deri në tre javë, grupe pune të NATO-s në përbërje të ndryshme do ta vizitojnë vendin dhe me ekipet kombëtare do t’i harmonizojnë politikat dhe standardet e domosdoshme deri në zyrtarizimin përfundimtar të vendit në NATO.
Shefi i ekipit të NATO-s për bisedimet inkuadruese me Maqedoninë do të jetë ndihmëssekretari i përgjithshëm i Aleancës, ambasadori Alehandro Alvargonzalez.
Kryeministri Zaev u përqendrua në situatën aktuale politike në vend dhe e prezantoi gatishmërinë e vendit me përkushtim dhe përgatitje të tërësishme që ta fillojë procesin e inkuadrimit për anëtarësim në NATO pasi në Samitin e NATO-s në Bruksel vendi e mori ftesën.
Zaev sot e priti delegacionin e NATO-s së bashku me Komitetin e punës për integrimin e Republikës së Maqedonisë në NATO, me të cilin kryeson ai.
Në përbërje të Komitetit janë ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, i cili në takim u përfaqësua nga sekretari shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministri i Financave Dragan Tevdovski, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, koordinatori kombëtar i Republikës së Maqedonisë për në NATO, Stevo Pendarovski dhe këshilltari për siguri kombëtare në kabinetin e kryeministrit Zoran Verushevski.
Komiteti i punës për integrim të Republikës së Maqedonisë në NATO nuk ishte në funksion nga viti 2008.