Në pritjen diplomatike që tradicionalisht e organizon presidenti amerikan si nikoqir gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe bashkëshortja Zorica u fotografuan me Donald dhe Melania Tramp. “Pritja diplomatike e organizuar nga presidenti Tramp në nder të Asamblesë së Përgjithshme të 72-të të KB-së është mundësi e mirë për përforcimin e miqësive dhe realizimin e bashkëpunimeve të ardhshme në interes të shteteve tona”, njoftoi kryeministri Zaev sot në mëngjes në fejsbuk profilin e tij. Kryeministri i Maqedonisë në suaza të aktiviteteve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sot do të realizojë takim bilateral me kryeministrin e Belgjikës Çarls Mishel.
Siç njoftoi pres shërbimi qeveritar, kryeministri Zaev do të marrë pjesë edhe në pritje me rastin e kandidaturës së Gjermanisë në Këshillin e Sigurisë të KB-së, për periudhë 2019-2020, që në emër të kancelares Angela Merkel, e organizon kancelari dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Zigmar Gabriel. Gjatë ditës janë parashikuar edhe takime të tjera dhe bisedime me të ftuar me kredibilitet në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, si dhe me politikanët amerikanë dhe tink-tenk ekspertë nga sfera e politikave të jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të SHBA-së, citohet në njoftimin e pres shërbimit të Qeverisë.