Shkup, 7 korrik – Ne e kishim vështirë vitet e fundit me BDI-në, ata janë një kohë të gjatë në pushtet, 17-të vjet e bëjnë të vetën, janë të fuqishëm, dhe është mirë që BDI të reformohet pasi të shkojë në opozitë, është mirë për ata, për shtetin, mirë është të reformohet edhe VMRO-DPMNE, tha kryetari i LSDM-së dhe bartës në njësinë zgjedhore numër katër Zoran Zaev gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Brifingu i mëngjesit” në TV Sloboda.
“Një shoqëri për të gjithë është koncepti ynë dhe unë jam i vetëdijshëm që njerëzve u duhet kohë, si maqedonasve ashtu edhe shqiptarëve. Ky është koalicioni i parë multietnik, 32 parti qëndruan prapa kandidaturës së Stevo Pendarovskit dhe kështu vazhdojmë të rritemi, si parti dhe si koalicion. Për mua është sukses nëse i fitojmë BDI-në dhe Aleancën në zonën e gjashtë zgjedhore, parashikimet tona janë që do të kemi gjashtë ose shtatë deputetë, ndryshe nga ata që do të kenë deri në 5, sepse ata synojnë vetëm shqiptarët, kurse VMRO DPMNE mund të ketë 2 deri në 3 deputetë në njësinë e gjashtë sepse ata shkojnë vetëm me votat e maqedonasve. Unë i thashë Mickoskit shumë kohë më parë se ata do të humbasin nëse vazhdojnë me këtë politikë destruktive”, tha Zaev.
Ai potencoi se këto zgjedhje dhe kjo fushatë zgjedhore janë më ndryshe, sepse siç tha, nuk ka më premtime se do të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së, kjo është punë e përfunduar.
“Ne jemi pjesë e NATO-s, jemi anëtarja e 30-të, po fillojmë negociatat me BE-në. Tani jemi miq me fqinjët dhe presim mbështetjen e tyre në proceset e ardhshme, jashtë i kemi përfunduar punët, tani mbetet çfarë do të bëjmë brenda vendit. Tani nuk ka shqiptarë, Bullgari, Greqi, NATO, tani në vend do të punojmë në ekonominë. Ne jemi duke u përqendruar në reformat e brendshme”, tha Zaev, duke shtuar se në katër vitet e ardhshme, LSDM dhe qeveria e re do të tregojnë se ata mund të bëjnë edhe më shumë dhe madje edhe më mirë.