Shkup, 23 maj – Kryeministri Zoran Zaev me ftesë të kolegut të tij malazez Dushko Markoviq pasdite udhëton për vizitë dyditore zyrtare në Mal të Zi, njofton Koha.mk
Siç bëjnë të ditur nga Qeveria e Malit të Zi, kryeministrat do të marrin pjesë në seancë të përbashkët të qeverive të dy vendeve. Zaev do të ketë takim bilateral me Markoviqin, ndërsa do të takohet edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe me presidentin e Kuvendit malazez, Ivan Brajoviq.
Nga pres shërbimi i Qeverisë të vendit tonë, kanë njoftuar se në delegacionin qeveritar të cilin e udhëheq Zaev janë edhe Radmilla Shekerinska zëvendëskryeministre dhe ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm, Koço Angjushev zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, Lupço Nikollovski ministër i Bujqësisë, Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë, Goran Sugarevski ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Sadulla Duraku ministër i Ekologjisë dhe Andrej Zhernovski zëvendësministër për Punë të Jashtme.
Pas mbajtjes së seancës së përbashkët mes qeverive të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut do të nënshkruhen më shumë marrëveshje bilaterale.
Do të organizohet edhe forum i biznesit Mal i Zi- Maqedoni e Veriut ku do të marrin pjesë kryeministrat Zaev dhe Maroviq, ministra në qeveritë si dhe biznesmenë nga dy vendet. Forumin do ta hapin dy kryeministrat si dhe kryetarët e Odës Ekonomike të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut Vllastimir Golluboviq dhe Branko Azeski. Në pjesën që ka të bëjë me punën e Forumit, biznesmenët e dy vendeve do të bisedojnë për perspektivat e bashkëpunimit të përbashkët. (koha.mk)