Shkup, 26 shkurt – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në kuadër të vizitës së punës në Britani të Madhe, sot po merr pjesë në Samitin investues për Ballkanin Perëndimor në Londër në organizim të Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim (BERZH) ku foli në panelin debatues të kryeministrave.
Në forum u prezantuan pikëpamjet e tyre lidhur me prioritetet për projektet rajonale për ndërlidhje dhe bashkëpunim ekonomik, sfidat më të rëndësishme për realizim të suksesshëm të prioriteteve të përbashkëta, si dhe vlerat që i ofron rajoni dhe secili vend në veçanti për tërheqjen e investuesve të huaj.
Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, Zaev në fjalimin e tij, si një nga prioritetet në rajon e theksoi domosdoshmërinë për ndërlidhje më të madhe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për çka potencialet qëndrojnë në bashkëpunimin më të madh dhe më të thjeshtë të doganave dhe në kontrollet kufitare në rajon.
“Lehtësimi i procedurave, koordinimi më i mirë, bashkëpunimi dhe ndërlidhja kanë për qëllim jo vetëm ta përforcojnë tregtinë nacionale dhe rajonale, por të krijojnë vende të punës dhe ta përforcojnë ekonominë. Tërheqja e investimeve të huaja duhet të shkojë paralelisht me inkurajimin për ndryshime politike si kritere për integrimet evropiane, si aspiratë primare të vendeve nga rajoni dhe e Republikës së Maqedonisë”, potencoi kryeministri Zaev.
Lidhur me sfidat më të rëndësishme që qëndrojnë para rajonit, Zaev i veçoi çrrënjosjen e korrupsionit dhe zhvillimin e infrastrukturës, rrugëve dhe hekurudhës, si dhe gazifikimin për çka e përshëndeti unanimitetin dhe përputhjen e këtyre prioriteteve të rajonit me ato të BERZH-it dhe me instrumentet e tjera të BE-së.
Në pjesën e përparësive që Republika e Maqedonia ua ofron investuesve të huaj Zaev theksoi se përpjekjet e Qeverisë në vend janë të fokusuara të sigurojnë dhe të garantojnë ambient stabil ekonomik dhe të jenë partner i besueshëm i biznesit dhe se për këtë qëllim janë promovuar Plani për zhvillim ekonomik, si dhe Ligji për mbështetje të investimeve financiare.
“Përparësi e jona janë ulja e shpenzimeve për investime, por edhe njerëz me arsim të lartë për degë të caktuara të ekonomisë si sektori i TI-së, bujqësia, turizmi, industria automobilistike dhe sfera të tjera. Për atë qëllim, hollësisht janë përgatitur meny të beneficioneve, subvencione dhe kritere për të gjithë investuesit, në mënyrë transparente të publikuara dhe të barabarta për të gjithë investuesit potencialë”, theksoi kryeministri Zaev në panelin e kryeministrave në samitin investues të BERZH-it.
Në hapjen e samitit, ku po marrin pjesë edhe kryeministrat e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, fjalime përshëndetëse mbajtën edhe kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, si vend kryesues me BE-në, kryetari i BERZH-it, Suma Çakrabarti, si dhe sekretari shtetëror për digjitalizim, kulturë dhe sport në qeverinë e Britanisë së Madhe, Met Henkok.
Gjatë samitit BERZH-i, do ta prezantojë “Platformën investuese rajonale” për Ballkanin Perëndimor, në prani të rreth 200 drejtorëve dhe anëtarëve të këshillave drejtues të kompanive të interesuara për investime në rajon.
Në përbërje të delegacionit qeveritar janë zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Ekonomike dhe Koordinim me Resurset Ekonomike, Koço Angjushev, zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe minsitri i Financave, Dragan Tevdovski.