Shkup, 17 maj – Lidhja e vendeve të rajonit dhe përforcimi i lidhjeve me BE-në janë të domosdoshme për përkrahjen e njëzëshme të perspektivave evropiane të Ballkanit Perëndimor, porositi kryeministri Zoran Zaev në hapjen e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje në të cilin marrin pjesë shefat e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Në pjesën zyrtare të programit, informon pres shërbimi qeveritar, kryeministri Zaev sot ishte pritur nga homologu bullgar Bojko Borisov, ndërsa më pas ka marrë pjesë në sesionin e hapjes së samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me të cilin kryeson kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk, në emër të BE-së së bashku me kryetarin e Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker.
Kryeministri do të marrë pjesë në sesionin plenar të punës me temën “Ndërlidhje” (Conectivity), ndërsa gjatë drekës së punës të shefave të qeverive dhe shteteve, me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian, është planifikuar të mbajë fjalimin e tij me temë “Ballafaqimi i përbashkët me kërcënimet”.
Në suaza të agjendës është planifikuar sot Zaev të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me kryeministrat e Holandës, Austrisë dhe Suedisë, Mark Rute, Sebastian Kurc dhe Stefan Lofven.
Liderët e vendeve pjesëmarrëse të Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor pritet ta miratojnë Deklaratën e Sofjes për Ballkanin Perëndimor të BE-së, si dhe agjendën e prioriteteve të Sofjes, e cila përmban projekte konkrete të cilat do të përkrahen nga BE-ja që të plotësohen qëllimet e projektuara të deklaratës të drejtuara nga përforcimi i qeverisjes të së drejtës dhe institucionet demokratike në vendet e Ballkanit Perëndimor, lufta kundër krimit të organizuar, qeverisja e mirë dhe respektimi i të drejtave të bashkësive të pakicave, si dhe nga përforcimi i lidhjeve ekonomike midis vendeve të rajonit, dhe të rajonit me BE-në.