Vatikan, 25 maj – Tradita e thellë e tolerancës ndërfetare, respektimi i bindjeve të ndryshme fetare dhe kultivimi i lirive fetare në Republikën e Maqedonisë ishte një prej temave të takimit të sotëm të kryeministrit Zoran Zaev me kryetarin e Kishës katolike të Romës, papa Françesku.
Zaev sot ishte në audiencë tek papa, me të cilin pati tet-a-tet takim, ndërsa më pas kryetari i Kishës katolike të Romës e priti delegacionin e Maqedonisë të cilin e kryeson kryeministri në vizitë në Vatikan, e cila realizohet në mënyrë tradicionale në kuadër të aktiviteteve programore të manifestimit “Maqedonia për nder të Shën Cirilit”.
Gjatë audiencës kryeministri Zaev e shprehu kënaqësinë e tij personale në emër të Qeverisë së RM-së për dinamikën e rritur të vizitave bilaterale dhe të marrëdhënieve të vendit tonë me Fronin e Shenjtë, siç ishte vizita historike e sekretarit shtetëror të Vatikanit, kardinalit Pjetro Parolin në vitin 2016, si pjesë e aktiviteteve për kanonizimin Nënës Terezë.
Zaev e përsëriti ftesën e hapur që papa Françesku në të ardhmen e afërt ta vizitojë Maqedoninë, që do të ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale si edhe për rajonin.
“Kemi qëndrime të përbashkëta afirmative për figurat që janë pjesë e trashëgimisë tonë të përbashkët siç janë Shenjtorja Nëna Terezë dhe Shën Cirili dhe Metodi, si për themele të fuqishme të lidhjeve historike midis Republikës së Maqedonisë dhe Vatikanit”, theksoi kryeministri në takimin me papën.
Kujdes të veçantë në bisedë me papën Zaev i kushtoi ndërtimit dhe kultivimit të përcaktimit të Republikës së Maqedonisë për idenë Një shoqëri për të gjithë.
“Realizimi i këtij angazhimi është i mundur vetëm përmes arritjes së lirisë së plotë të të shprehurit të religjionit në frymën e karakterit multietnik, multikulturor dhe multireligjioz të vendit dhe me dialogun dhe respektimin e ndërsjellë të dallimeve”, tha Zaev dhe shtoi se bashkëpunimi i ngushtë me Kishën katolike të Maqedonisë dhe rolin e saj konstruktiv si një prej shtyllave të bashkëjetesës midis religjioneve në vendin tonë është një prej faktorëve më të rëndësishëm për realizimin e idesë “Një shoqëri për të gjithë”.
Në takimin me sekretarin shtetëror të Vatikanit, Pjetro Parolin u bisedua për zhvillimin e bashkëpunimit midis Maqedonisë dhe Vatikanit në sferën e bibliotekave, restaurimit, konservimit dhe digjitalizimit të materialeve, si në sferën e ndihmës profesionale për arkivim dhe ruajtjen e gjësendeve religjioze.
Kryeministrin e Maqedonisë Zav, në këtë vizitë e shoqërojnë, bashkëshortja e tij, Zorica Zaeva, delegacioni në përbërje nga zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, sekretari shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski, këshilltari për politikë të jashtme të kryeministrit, Dane Raleski dhe drejtori i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare, Darijan Sotirovski.