Shkup, 5 qershor – Kryeministri Zoran Zaev sot edhe njëherë i bëri apel presidentit Gjorge Ivanov për të dhënë nënshkrimin e tij në Ligjin për gjuhët dhe të mundësojë funksionimin papengesa të demokracisë në shoqëri.
Zaev në margjinat e konferencës përfundimtare të Projektit Rrjeti 23++ duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve kur pritet marrëveshje politike për Ligjin për gjuhët, si dhe shpalljen e tij në Gazetën zyrtare, theksoi se në disa takime me Ivanovin ka tentuar ta motivojë dhe ta nxitë për ta vendosur nënshkrimin, sepse siç tha, përmes këtij ligji është bllokuar Kuvendi në funksionin e vet.
“Kjo jep porosi se presidenti mund të vendosë kur të dojë dhe për cilindo ligj që dëshiron ta aktivizojë ‘veton që ka në xhep’. Kjo nuk është demokraci funksionale. Përgjegjësia është shumë e madhe”, tha Zaev.
Ai theksoi se duhet të ftohen institucionet kompetente si Gjykata Kushtetuese, por edhe të drejtohemi deri tek Komisioni i Venecias.
“Gjykata Kushtetuese tregon çka është kushtetuese dhe çka nuk është. Dhe nëse ka diçka problematike mund të ndryshohet”, tha Zaev dhe shtoi se nëse me disa ligje rriten disa të drejta do të mundet më lehtë të hyjmë në procesin e tillë të paralajmëruar për fillimin e negociatave me BE-në.