Shkup, 15 mars – Ligji për përdorimin e gjuhëve është tërësisht në pajtim me Kushtetutën dhe amendamentin 5 të cilat janë sjellë para 17 vitesh. Askush nuk është dhe nuk mund të jetë mbi Kushtetutën. Njëherësh, ky ligj tërësisht e garanton përdorimin përkatës të gjuhës maqedonase dhe është kontribut serioz në ndërtimin e konceptit “Një shoqëri për të gjithë qytetarët”, vlerëson kryeministri Zoran Zaev.
Zaev në fjalimin e sotëm drejtuar qytetarëve bën thirrje që të hidhen poshtë politikat e ndarjeve, përçarjeve dhe konflikteve dhe të përmbyllen reformat.
“Kjo vlerë e jona dhe evropiane e mori mbështetjen e shumicës së qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare, por edhe në zgjedhjet lokale. Kjo vlerë, Maqedonia – vend i të gjithë qytetarëve, është koncept dhe udhërrëfyes për të ardhmen tonë. U përcaktuam për politika të cilat e ndërtojnë Republikën e Maqedonisë si shtet qytetar i të gjithëve që jetojnë në të: maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vllahë, romë, boshnjakë dhe të gjitha bashkësitë e tjera”, thekson Zaev.
Me zhvillimin e të drejtës për përdorimin e gjuhëve nuk humbet askush, vlerëson kryeministri, vetëm mundësohen kushte për komunikim më të mirë midis qytetarëve dhe institucioneve, ndërsa komunikimi i papenguar i qytetarëve është përfitim civilizues.
“Tani është koha t’i përjashtojmë politikat e ndarjes, përçarjes dhe konfliktuoze, të cilat janë në kundërshtim me vlerat tona dhe vlerat evropiane. Detyrë dhe përgjegjësi e jona duhet të jenë interesat e të gjithë qytetarëve pa përjashtim. Nuk ka arsyetim të matur në bllokimin e proceseve politike dhe të institucioneve politike siç është Kuvendi. Në vend të kësaj, është koha të gjithë ne, politikanët, ta ndërmarrim përgjegjësinë të cilën ua kemi premtuar qytetarëve dhe t’i përmbyllim proceset reformuese në Republikën e Maqedonisë. Është koha për reforma edhe për ekonomi”, nënvizon kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev në lidhje me Ligjin e miratuar për përdorimin e gjuhëve.