Kumanovë, 12 shtator Është koha për patriotë të vërtetë për ato të cilët ndërmarrin aksion, të cilët e respektojnë të kaluarën, por pikëpamja e tyre është e përqendruar në ardhmërinë. Është koha të sjellim jetë më të mirë në Maqedoni. Është koha më 30 shtator të sjellim vendim me të cilin do të krenohemi, vendim për gjeneratat e ardhshme, tha sonte para banorëve të Kumanovës kryetari i LSDM-së dhe kryeministër aktual Zoran Zaev në tribunën Dil Për Maqedoni Evropiane.
Ai tha se e kanë zgjidhur kontestin me Greqinë dhe se është përforcuar identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase, e cila shkruhet në thesarin e gjuhëve botërore, por theksoi se duhet të mbahet përgjegjësi për Maqedoni evropiane.
“Qytetarët do ta kenë fjalën e fundit, qytetarët do të vendosin, do të zgjedhin ardhmërinë, Maqedoninë evropiane. Anëtarësimi në NATO dhe BE sjell investime të reja, vende të reja pune”, tha Zaev duke shtuar se papunësia do të zvogëlohet dhe përmendi shembuj nga vendet e rajonit të cilat kanë hyrë në NATO.
Pagat, shtoi, do të rriten, ndërsa të rinjtë do të qëndrojnë këtu.
Ai iu drejtua edhe të rinjve dhe tha se më 30 shtator vendosin për ardhmërinë e tyre, të vendosin mes dritës dhe errësirës, ardhmërisë dhe izolimit.
Para të pranishmëve në sheshin e qytetit fjalim mbajti edhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski i cili u bëri thirrje qytetarëve të japin mbështetje më 30 shtator.