Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është në pajtim me interesat nacionale të Maqedonisë. Do të nënshkruhet në gjuhën maqedonase sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe në gjuhën bullgare sipas Kushtetutës së Republikës së Bullgarisë, theksoi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pasdite në konferencën për shtyp. Marrëveshja, siç theksoi ai, do të publikohet në ueb faqen e Qeverisë, me çka do të bëhet publikisht i kapshëm për të gjithë. Zaev theksoi se marrëveshja hap perspektiva të mëdha për bashkëpunim edhe për zgjidhjen, e jo për krijim të problemeve. Në Bullgari shohim mik dhe fqinj me të cilën së bashku do t’i zgjidhim problemet dhe e cila e mbështet pranimin e Maqedonisë në BE dhe NATO pa kushtëzime”, tha Zaev. Dokumenti do të ndihmojë për intensifikimin e bashkëpunimit të përgjithshëm mes dy vendeve, tha Zaev duke theksuar se pret që shkëmbimit aktual tregtar mes dy vendeve, i cili arrin mes 500 dhe 600 milionë euro të arrijë deri në një miliard euro. Ai përkujtoi se Qeveria aktuale e ka finalizuar marrëveshjen që ka filluar të përgatitet që në vitin 2009. Kryeministri Zaev tha edhe se pret që opozita e Maqedonisë ta mbështesë Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Është parashikuar që Marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, ta nënshkruajnë kryeministrat e dy vendeve Zoran Zaev dhe Bojko Borisov më 1 gusht në Shkup. Ndërkaq, VMRO në reagimin e saj ka theksuar se Parlamenti duhet të vendosë nëse do të nënshkruhet marrëveshja me Bullgarinë. Grupi i deputetëve të kësaj partie ka kërkuar seancë publike, të hapur dhe urgjente lidhur me paralajmërimin për nënshkrim të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Parlamenti, siç theksoi në konferencën për shtyp Ilija Dimovski, duhet ta shqyrtojë marrëveshjen dhe të sjellë konkluzione se nëse duhet ose jo të nënshkruhet. Marrëveshja, sipas VMRO-DPMNE-së, është e dëmshme për Republikën e Maqedonisë. “Parlamenti duhet publikisht dhe në mënyrë transparente ta marrë marrëveshjen. Qeveria mund ta fshehë në afat të shkurtër sepse marrëveshja nuk është e mirë për Republikën e Maqedonisë. Herët ose vonë duhet ta publikojë”, tha Ilija Dimovski në konferencën për shtyp. Marrëveshja, sipas Dimovskit, do të hapë plagë të vjetra historike, të sjellë dhimbje tek shumë familje paraardhësit e të cilëve kanë qenë viktima dhe kanë luftuar për autonomi, për origjinalitetin dhe për pavarësinë e Maqedonisë dhe për veçantinë kulturore dhe historike të popullit të Maqedonisë.