Republika e Maqedonisë është e gatshme të vazhdojë t’i udhëheq proceset pozitive në rajon që sjellin stabilitet dhe zhvillim ekonomik, porositi Zoran Zaev në fjalimin e tij në samitin e shefave të qeverive të Nismës së Evropës Qendrore (CEI) në Zagreb, nikoqir i të cilit është kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Në fokus të Samitit janë ndërtimi i stabilitetit, prosperitetit dhe avancimit të bashkëpunimit midis shteteve në rajon, Evropë dhe botë. Në samitin, informojnë nga pres shërbimi qeveritar, marrin pjesë përfaqësues të 18 vendeve anëtare, mes të cilave edhe kryeministri i Shqipërisë dhe i Sllovakisë, ndërsa të pranishëm janë edhe komisari evropian Johanes Han, kryetari i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Suma Çakrabati dhe përfaqësues të lartë të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës.
“Maqedonia është e gatshme ta thellojë edhe zgjerojë bashkëpunimin në rajon, përmes marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe në këtë kontekst, kemi arritur rezultate të mëdha. Kjo ka ndodhur falë gatishmërisë dhe ndjenjës të përgjegjësisë së vendeve dhe liderëve politikë në rajon. Por, jemi të gatshëm të punojmë në interesat afatgjata të rajonit”, tha kryeministri Zaev.
Ai i theksoi marrëveshjet me Bullgarinë dhe me Greqinë si të rëndësishme në këtë drejtim dhe në fjalim i shprehu falënderim kryeministrit bullgar dhe grek, Bojko Borisov dhe Aleksis Cipras, për kontributin në stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe me Maqedoninë, që kontribuon edhe ndaj stabilizimit në suaza rajonale.
Në Samit, veçanërisht është theksuar rëndësia e ndërlidhjes ekonomike të shteteve si dhe kontributin e vendeve në përballjen me krizën e emigrantëve.
“Maqedonia është vend evropian edhe në kuptimin gjeografik edhe në atë politik. Përmes krizës së paradokohshme të emigrantëve, kemi treguar se jemi partner i sigurt në përballjen me sfidat e sigurisë të Evropës. Kjo që është me rëndësi, është bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë për mbrojtjen e kufijve. Në këtë moment duke e respektuar praninë e komisarit Han, do të doja të konfirmoj se Maqedonia mbetet partner i ngushtë i vendeve me të cilat tashmë kemi arritur sukses të realizojmë bashkëpunim të suksesshëm dypalësh si dhe në hapat strategjikë në këtë plan”, tha kryeministri Zaev.
Kryetari i Qeverisë, Zaev, lidhur me bashkëpunimin ekonomik, tha se ky është një segment i rëndësishëm të integrimit euroatlantik të Maqedonisë dhe të rajonit.
“Ekonomia jonë kryesisht është e ndërlidhur me ekonomitë e BE-së dhe ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Progresi në integrimin në BE dhe në NATO sjell rezultate të volitshme ekonomike. Unë jam edhe tejet i bindur se jemi në rrugë të drejtë dhe për mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj për këtë. reformat që i bëjmë në planin vendor janë drejtuar drejt vendosjes së klimës demokratike që do ta lehtësojë klimën korrekte të konkurrencës. Gjithashtu i përfshijmë edhe komunitetin e biznesit dhe shkencës në disenjimin e strategjisë tonë afatgjatë për ndërlidhje reciproke. Në përpjekjet të përgjigjemi në sfidat e ardhshme, ne veçanërisht duhet të fokusohemi në çështjet e shkencës dhe të rinjve, sepse përhapja në vazhdimësi e njohurisë është parakusht për progres. Sepse, ne plotësisht e mbështesim theksin e shkencës dhe shanset për të rinjtë”, porositi Zaev.
Ai e përshëndeti vendimin e Italisë, që ta ndërmarrë kryesimin me CEI-n vitin e ardhshëm dhe shfaqi bindje se vendi do të vazhdojë të ketë rol të mbështetësit të fortë të zgjerimit dhe integrimit në BE.
Zaev e përshëndeti edhe rolin e BERZH-it në përpjekjet për vendime kyçe për çështje strategjike në transport dhe energjetikë të ndërlidhjes reciproke.
Të gjithë folësit, si dhe eurokomisari Han, dërguan porosi për rëndësinë e stabilitetit dhe të lidhjes ekonomike, dhe veçanërisht të bashkëpunimit rajonal, si të rëndësishme për prosperitetin e shteteve, integrimet e tyre në BE dhe për vetë Evropën.