Shkup, 12 korrik – Kryeministri Zoran Zaev i bëri thirrje liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski bashkarisht të gjejnë zgjidhje për Ligjin për prokurorinë publike, jo vetëm për shkak të BE-së, por edhe për qytetarët dhe të ardhmen e shtetit tonë.
Sipas Zaevit, VMRO-DPMNE edhe kur është në opozitës sillet armiqësisht ndaj shtetit dhe të ardhmes së tij dhe i bëri thirrje liderit Hristian Mickovski, për arsye se e ka obligim, të dalë dhe të ulen së bashku të gjejnë zgjidhje për PSP-në.
“Ende na qëndron pezull Ligji për prokurorinë publike, me zgjidhje për PSP-në. Ne duhet të gjejmë zgjidhje për çështje të këtilla, jo vetëm për shkak të BE-së. Ajo na dha raport të shkëlqyeshëm dhe do të marrim vendim. Në fund, akoma më me rëndësi është se qytetarët presin të miratojmë Ligj për prokurorët publik, në mënyrë që përfundimisht në vendin tonë të kemi ligj me të cilin do të kontribuojmë në reformat në jurisprudencë”, deklaroi Zaev mbrëmë në intervistën për televizionin Klan Maqedoni, transmeton Koha.mk
Theksoi se zgjidhjet e tjera ligjore për jurisprudencën janë miratuar përmes negociatave dhe Kapitujve 23 dhe 24.
“Përgjegjësia është edhe e opozitës për Ligjin për prokurorinë publike. Atë duhet ta zgjidhim për të ardhmen e shtetit. Unë jam njeri që gjen kompromise. Nuk funksionon deri në fund sistemi i gjyqësisë për shkak të kësaj çështje të pazgjidhur, prandaj duhet menjëherë ta zgjidhim. E di se nevojiten 80 deputetë dhe të ketë konsensus për këtë çështje”, deklaroi Zaev.
Shfaqi shpresë se së paku deri në fund të korrikut do të mund të definohet marrëveshja politike dhe t’i definojnë konturat. (koha.mk)