Shkup, 19 qershor – Punojmë shumë në reforma dhe në mirëmbajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët, duke u udhëhequr nga vlerat evropiane si sundimi i së drejtës, procesi inkluziv për sjelljen e ligjeve, gjyqësia e pavarur. Konsiderojmë se vendimi për fillim të negociatave inkuadruese është me rëndësi jo vetëm për ne, por edhe për shkak të porosisë e cila do t’i dërgohet tërë rajonit, por edhe më gjerë, se investimi i vërtetë në reforma dhe në marrëdhënie të mira fqinjësore do të thotë edhe investim i sigurt në të ardhme më të mirë për qytetarët, theksoi kryeministri Zaev në takimin e sotëm me Mirosllav Lajçak, kryesues i OSBE-së dhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Sllovakisë, i cili me me delegacionin e tij po qëndron për vizitë dyditëshe në vendin tonë, transmeton KOHA.
Theksoi se, Maqedonia e veriut kërkon mundësi, të cilën, siç tha kryeministri, sinqerisht beson se e kemi merituar, e ajo është fillimi i negociatave për anëtarësim në BE, duke potencuar se ndjenja është e shkëlqyeshme kur qytetarët e Maqedonisë së Veriut shohin se Greqia fqinje po lufton që shteti të marrë datë për negociata.
“Në takim, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe ambasadori Klemens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, Zaev dhe Lajçak shprehën kënaqësi të përbashkët nga marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, me tendencë për avancim të mëtutjeshëm, e posaçërisht u cek mbështetja që e ka Republika e Maqedonisë së veriut nga Republika e Sllovakisë për proceset e saja integruese në NATO dhe BE”, kumtuan nga shërbimi qeveritar për shtyp.
Cekën se, Zaev i është falënderuar mysafirit Lajçak për mbështetjen në këtë, siç tha, moment të rëndësishëm për shtetin, kur me rëndësi kyçe për vendin është sjellja e vendimit për hapje të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Njëherit, në takim është vlerësuar pozitivisht bashkëpunimi me institucionet e OSBE-së, në drejtim të arritjes së standardeve evropiane dhe promovimit të pakicave kombëtare, standardet zgjedhore, në çështje të lidhura me përforcimin e lirisë së mediumeve.(koha.mk)