Shkup, 1 mars – Pas suksesit me zgjidhjen e kontestit me Greqinë, Republika e Austrisë shpreson se këtë vit Republika e Maqedonisë së Veriut do t’i fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian, në këtë proces, ka thënë kancelari i Austrisë Sebastian Kurc në takimin e djeshëm me kryeministrin Zoran Zaev në Vjenë.
Austria, ka theksuar Kurc, edhe më tutje do t’i japë mbështetjen e nevojshme Maqedonisë së Veriut, ndërsa takimi me Zaevin edhe një herë e tregon dhe dëshmon miqësinë mes të dyja vendeve.
Zaevi, siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, e falënderoi kancelarin Kurc dhe Qeverinë e Austrisë për gjithçka që kishin bërë për Maqedoninë e Veriut, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Tani pasi filloi që të zbatohet Marrëveshja e Prespës, përkushtohemi plotësisht në punën për reformat në vend. Marrëveshja e arritur kishte impakt pozitiv ndaj gjithë rajonit. Me marrëveshjen arritëm të tregojmë se me partneritet dhe dialog mund të arrihet shumë”, ka potencuar kryeministri Zaev në takimin me kancelarin Kurc.(koha.mk)