Komiteti i përbashkët i ekspertëve Maqedoni-Greqi nuk mund të fillojë me punë para ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në të dyja vendet, tha kryeministri Zoran Zaev sot pasdite në Parlament, duke potencuar se kjo mund të ndodh në mars.
Duke u përgjigjur në pyetjen e deputetes Magdalena Manaskova të VMRO-DPMNE-së në lidhje me ekspertët e angazhuar në Komitetin e përbashkët interdisiplinar të ekspertëve të cilin e formuan Maqedonia dhe Greqia, Zaev tha se një pjesë e anëtarëve të palës së Maqedonisë janë profesorë universitarë dhe se për komisione të tilla asnjëherë nuk ka pasur konkurse.
“Marrëveshja precizon se në cilat lëmi do të punojnë komisionet. Qëllimi është që t’i largojmë të gjithë ata të cilët shkaktuan irredentizëm, ose janë kundër dëshirës për ndërtimin e miqësisë, për pranimin e ndërsjellë ose të ngjashme, jemi të bindur se përmes miqësisë do të hapim perspektiva tjera për shumë qytetarë, para së gjithash, për qytetarët nga Maqedonia dhe Greqia të cilët definitivisht do të jenë në ndihmë në të gjitha sferat e jetës shoqërore”, tha Zaev.
Në vërejtjen e deputetes, kryeministri tha se mund të propozohet ekspert dhe se nëse ka mundësi komisioni do të plotësohet.
“Qëllimi është që përmes këtyre komisioneve profesionale t’i nxjerrim argumentet nga të dyja palët. Përmes argumenteve dhe përmes filozofisë së miqësisë urgjentisht, t’i gjejmë mënyrat”, tha kryeministri.
Paraprakisht, Zaev duke u përgjigjur në pyetjen për Qendrën e re klinike, tha se në këtë mandat të Qeverisë deri në fund të vitit 2020 mund të fillojë ndërtimi.
“Unë mendoj se mund ta vendosim si ambicie fundin e vitit 2019 ose pranverën e vitit 2020 nëse është lokacioni i pastër me marrëdhënie të zgjidhura pronësore-juridike, urbanizim të përfunduar, ndërsa kemi edhe dokumentacionin projektues, Por, nëse punojmë së bashku besoj se do t’i përshpejtojmë të gjitha proceset”, tha Zaev.
Në pjesën e financimit të njësive të vetëqeverisjes lokale, tha Zaev, është e vërtetë se komunat kanë detyrim ligjor që t’i paraqesin në Ministrinë e Financave detyrimet të cilat së bashku me shfrytëzuesit e buxhetit pa ndërmarrjet publike komunale janë pesë miliardë dhe 950 milionë denarë.
Zëvendëskryeministri Koço Angjushev, tha se prodhimtaria industriale nga gushti është rritur për gjashtë për qind në krahasim me vitin e kaluar. Dallimi me Qeverinë paraprake në krahasim me investitorët e huaj, tha Angjushev, është se “ne nuk bëjmë teatër” nga kjo. Kërkoi nga opozita që të mos e nënçmojë ekonominë e Maqedonisë, sepse ka rritje të vëllimit të punës. Zëvendëskryeministri theksoi se aneksi për projektin Kërçovë-Ohër së shpejti do të jetë në seancë qeveritare, por me 35 për qind kursim. “Është më mirë që ta lëshojmë pesë-gjashtë muaj më vonë, por të kursejmë”, tha Angjushev.
Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, duke fol për takimin në Bruksel në selinë e NATO-s, tha se të premten në votimin e ndryshimeve kushtetuese në Parlament është bërë e ditur se kemi koncensus për çështje strategjike, por se ky proces duhet të kryhet deri në fund.