Zaev: Këtë verë do të marrim datë për negociata me BE-në shkojmë përpara me Pendarovskin
Shkup, 30 prill – Kryetari i LSDM-së dhe kryeministër Zoran Zaev sonte mbajti takim me banorët e lagjes së Shkupit Ilinden, para të cilëve theksoi se në Berlin është takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emanuel Makron dhe se këtë verë vendi do të marrë datë për negociata me BE-në, transmeton KOHA.
“Vij nga Berlin, pas takimeve me kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin francez Makron, kemi miq të mëdhenj në Evropë, jo vetëm që këtë vit do të bëhemi pjesë e NATO-s, por këtë verë vendi ynë do të fillojë negociata edhe me BE-në. Të vazhdojmë në rrugën e vërtetë. Ta ngritim edhe krenarinë e Ilindenit, dhe këtu të festohet fitorja, si në tërë vendin”, tha kryetari i LSDM-së dhe kryeministër Zaev.
Ai bëri thirrje për mbështetje masive të Stevo Pendarovskit, sepse, siç tha, mjaft më me kriza, frenime, frustrime.
“Vjen kohë e mirë, sollëm vendime të mëdha, i hapëm perspektivat, sot kemi shtet të garantuar nga e gjithë bota, me popull maqedonas të pranuar dhe gjuhë maqedonase nga e gjithë bota, jemi në rrugë drejt BE-së dhe NATO-s, ajo do të thotë stabilitet, por do të thotë edhe zhvillim ekonomik. Na duhet president i cili udhëheq së bashku dhe përpara. E di se do ta zgjedhim Stevo Pendarovskin dhe do të vazhdojmë së bashku përpara”, porositi Zaev në komunën Ilinden. (koha.mk)