Shkup, 19 korrik – Mbështetje për marrjen e datës për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian në tetor, ka theksuar ambasadorja e Lituanisë, Rasa Kairiene në takimin e sotëm me kryeministrin Zoran Zaev.
Në takim, siç bëri të ditur pres shërbimi qeveritar, janë përshëndetur arritjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, veçanërisht përmes Marrëveshjes së Prespës të arritur, si dhe në pjesën e reformave.
Është konstatuar se shteti ynë meriton progres në integrimet, për shkak se Lituania është mes vendeve të para që e ka ratifikuar Protokollin për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Në takim ishte shprehur edhe mbështetja për marrjen e datës për fillimin e negociatave të vendit tonë me BE-në në tetor, me qëllim që të ruhet motivimi i ndryshimeve pozitive që po ndodhin në shtet, në fushat kyçe të rëndësishme për BE-në.
“Japin rezultate reformat, për të cilat ka vlerësime pozitive në Raportin e BE-së, por janë të rëndësishme për qytetarët e vendit tonë. Tashmë kemi rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe në pjesën e përforcimit të sistemit gjyqësor. Vlerësojmë se është e mundur deri në dhjetor vendi ynë të jetë anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe se në tetor do ta marrim datën e merituar për fillimin e negociatave me BE-në, që do të jetë inkurajim i madh për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe për perspektivat evropiane të të gjithë rajonit”, ka theksuar kryeministri Zaev.
Duke shprehur falënderim për mbështetjen miqësore dhe parimore të Lituanisë, Zaevi ka dërguar ftesë për vizitë të kryeministrit lituanez në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në takim janë konfirmuar marrëdhëniet miqësore të të dyja vendeve dhe është potencuar mbështetja e Lituanisë përmes ekspertëve në tuining programet e BE-së, që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Janë ndarë përvoja për rezultatet e integrimeve euroatlantike në Lituani të shprehura përmes dëshirës së qytetarëve të jetojnë dhe punojnë në vendlindjen e tyre, madje edhe me kthimin nga jashtë, për shkak të perspektivave të hapura.
Në takim, siç qëndron në kumtesë, është shfaqur përcaktimi për zhvillimin e bashkëpunimit midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Lituanisë, në fushën e ekonomisë dhe turizmit, teknologjive informative dhe bioteknologjive.
Bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për nxitjen e bashkëpunimit më intensiv midis odave të biznesit të të dyja shteteve dhe zbatimin e përvojave pozitive nga Lituania të zbatueshme në vendin tonë.(koha.mk)