Shkup, 24 korrik – Jemi shumë afër realizimit të qëllimeve strategjike të Republikës së Maqedonisë – anëtarësimin në BE dhe NATO dhe nuk do të lejojmë që procesin ta dëmtojnë ose ta vënë në rrezik ultimatume të pandërgjegjshme. Mbesim të përkushtuar që deri në fund të arrijmë deri te zgjidhjet, të cilat do të mundësojnë kushte për referendum korrekt në interes të qytetarëve të vendit tonë, theksoi kryeministri Zoran Zaev në takimin e sotëm me ministrin shtetëror, përgjegjës për Evropën Mihael Rot.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë, amnistia për krimin politik është e pamundshme dhe veçanërisht nuk do të bëjmë lëshime para presionit që të heqim dorë nga sundimi i së drejtës”, tha Zaev.
Në takimin me Rot, theksoi se Republika e Maqedonisë me datën e bisedimeve me BE-në dhe me ftesën për NATO hapi kapitull të ri në historinë e saj dhe njëkohësisht, hapi kapitull të ri të rëndësishëm edhe në historinë e Evropës në periudhën kur për BE-në është me rëndësi të madhe uniteti i të gjitha vendeve evropiane, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.
Zaev iu referua situatës politike në vend me theks të veçantë ndaj procesit të arritjes së pajtueshmërisë politike rreth parimeve themelore dhe çështjeve në lidhje me realizimin e referendumit për marrëveshjen me Republikën e Greqisë, që i solli para një përfundimi të suksesshëm të aspiratave euroatlantike të Republikës së Maqedonisë.
Kryetari i Qeverisë e theksoi mbështetjen e rëndësishme e cila në periudhën e kaluar erdhi nga Gjermania dhe nga kancelarja Merkel në transformimin e krizës politike, në të cilën kishte rënë Republika e Maqedonisë, në periudhën e reformave gjithëpërfshirëse të cilat e arritën kulminacionin me pranimin për përparimin e vendit me datën e bisedimeve me BE-në dhe me ftesën për anëtarësim në NATO.
Ministri shtetëror përgjegjës për Evropë, Rot, theksoi se Republika e Maqedonisë edhe më tutje mund të llogarisë në mbështetjen e plotë dhe të fuqishme nga Gjermania. Ai potencoi se referendumi i ardhshëm është moment për vendim për të ardhmen evropiane dhe se përgjegjësinë tani duhet ta ndërmarrin të gjitha subjektet politike relevante në vend, përfshirë edhe opozitën.