Qeveria e Republikës së Maqedonisë po krijon kushte për ndërtimin e konsensusit nacional me të gjitha subjektet kyçe dhe vendimmarrëse politike: me presidentin e vendit dhe me opozitën, për përshpejtim të integrimit tonë në NATO, theksoi sot kryeministri Zoran Zaev, i cili foli në ngjarjen në organizim të Këshillit euro-atlantik të Maqedonisë.
“Njëherit, jemi të përkushtuar në gjetjen e mënyrës që të tejkalohet problemi që e ka Republika e Greqisë me emrin e shtetit tonë. Besojmë se kjo është e mundshme përmes qasjes inkluzive brenda vendit dhe me ndërtim të atmosferës pozitive të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me Republikën e Greqisë”, theksoi Zaev.
Prandaj, potencoi kryeministri i Maqedonisë, me të drejtë presim që Republika e Maqedonisë të jetë vendi i ardhshëm anëtar i aleancës, ndërsa gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të marrim edhe ftesë për fillim të negociatave me BE-në.
Qytetarët e Maqedonisë, siç theksoi, janë të bindur se Republika e Maqedonisë i meriton perspektivat euroatlantike.
“Mbi 75 për qind e të gjithë qytetarëve tanë dëshirojnë anëtarësim në BE dhe NATO. Qeveria, me mbështetje nga qytetarët dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë po e trason rrugën e shtetit tonë drejt NATO-s”, tha Zaev.
Republika e Maqedonisë, shtoi ai, çdoherë do të japë kontribut pozitiv në çdo lloj të nismave të cilat do të sjellin bashkëpunim më të gjerë dhe më të mirë në rajon.
Zaev foli në konferencën përfundimtare për projektin “Përforcimi i dialogut rinor për promovim të proceseve demokratike në frymën e integrimeve euro-atlantike” në organizim të Këshillit euro-atlantik të Maqedonisë, me mbështetje të Civika Mobilitas.
“Rreth 60 për qind e të rinjve të përfshirë në hulumtim, konsiderojnë se mundësitë për ta do të shtohen me realizimin e këtij qëllimi. Njëkohësisht, treguesit e tjerë nga ky hulumtim tregojnë për faktin se të rinjtë, nuk janë mjaftueshëm të përfshirë në proceset lidhur me integrimet euro-atlantike”, tha kryeministri duke potencuar se tani është koha që kjo të ndryshojë.