Zaev: Jam i gatshëm ta bartë çmimin politik, por kjo ia vlen për Maqedoninë
Shkup, 8 nëntor 2018 – Konteksti historik tërësisht është ruajtur, ndërkaq e drejta e vetëvendosjes është njohur nga Greqia. Jam i gatshëm ta bartë çmimin politik, por kjo ia vlen për Maqedoninë. Jam thellësisht i bindur se po sigurojmë të ardhme për gjeneratat që vijnë, i porositi kryeministri Zoran Zaev deputetët në debatin e sotëm rerth projekt-amandamenteve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Në replikat e deputetëve rreth projekt-amandamentit të dytë për të cilin po debatohet në Komisionin kuvendor për çështje kushtetuese, kryeministri Zaev theksoi se nuk do të ketë marrëveshje tjetër dhe më të mirë dhe se të dyja palët fitojnë nga marrëveshja.
“Sipas të gjitha gjasave momenti historik dhe mundësia që nga pala greke të ketë bashkëbisedues, i përputhën kubet për t’u sjellur vendimi. Dhe këtu, sipas meje, është momenti kur e shkelni interesin personal dhe partiak në raport me interesat shtetërore”, theksoi Zaev.
Deputeti Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE propozoi në Preambulën e Kushtetutës të futen edhe tre dokumente dhe atë Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë e vitit 1991, si dhe kushtetuta kryengritëse nga Kryengritja e Kresnës dhe kushtetuta e parë e Organizatës së fshehtë revolucionare të Maqedonisë (TMRO).
Aleanca për shqiptarët dhe Lëvizja “Besa” edhe sot përsëritën se hapja e ndryshimeve kushtetuese është moment i mirë për t’u biseduar për të gjitha çështjet e hapura dhe propozuan që Maqedonia në Preambulë të definohet si shtet multietnik.
“Për fat të keq, fjalia e parë e Preambulës jep sinjal të keq. Unë nuk jam qytetar i cili jeton në Republikën e Maqedonisë. Unë jam shqiptar i cili jeton dhe do të jetojë në të ardhmen dhe besoj se kështu është për të gjithë popujt e tjerë. Propozimi ynë është që në Kushtetutë të fshihet pjesa ku shkruan ‘qytetarët të cilët jetojnë në kufijt e saj’ dhe pas popullit maqedonas të shtohet formulimi ‘populli shqiptar, populli vlleh, populli serb, populli boshnjak’… Me këtë Maqedonia do të jetë më e drejtë dhe do t’i përfaqësojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët”, tha Ziadin Sela nga Aleanca për shqiptarët.
Ndaj kësaj replikoi kryeministri Zaev, i cili theksoi se mund të bisedohet për cilësinë e arritjes së barazisë, por se barazia e plotë në pjesën e formulimit nuk është arsyetuar deri në fund sepse ekzistojnë shtete nacionale si Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Serbia…
“Të fshihet pjesa e fjalisë ‘si dhe qytetarët të cilët jetojnë në kufijt e saj’, shkon në skajshmëri tjetër. Duhet të pranojmë se ekzistojnë shtete nacionale si Shqipëria, Serbia, Turqia, Bosnjë e Hercegovina, ndërkaq që kjo është Republika e Maqedonisë e cila me ndryshimet kushtetuese do të jetë Republika e Maqedonisë Veriore”, sqaroi Zaev.
Në projekt-amandamentin e dytë propozohet që vendimet nga KAÇKM-ja të zëvendësohen me manifestin e KAÇKM-së dhe të futet Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
Komisioni për çështje kushtetuese tashmë e pranoi të parin nga katër projekt-amandamentet, me të cilin parashihet zëvendësimi i fjalëve Republika e Maqedonisë me Republika e Maqedonisë Veriore çdokund në Kushtetutë, përveç në nenin 36 ku ka aspekt historik.