Shkup, 6 maj – Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se e ka pritur dorëheqjen e ministrit të Kulturës Asaf Ademi, i cili sot publikoi se tërhiqet nga funksioni për shkaqe shëndetësore.
“Ai e ka paralajmëruar dorëheqjen më shumë se gjashtë muaj dhe ka probleme shëndetësore. Ka dashur të japë dorëheqje që prej para Programit për kulturë, por e dini se ka pasur dilema nëse do të shkohet në zgjedhje presidenciale së bashku me ato parlamentare, e pastaj vendosëm për zgjedhje presidenciale. Lutja nga ana ime si mandatar dhe kryeministër ishte të pritet, të kalojnë zgjedhjet”, deklaroi Zaev në Qeveri.
Kryeministri shtoi se ka mirëkuptim për gjendjen shëndetësore të Ademit dhe për raportin e tij personal lidhur me këtë çështje.
“Ai në mëngjes më informoi për detaje. Sot e di se ka caktuar pres konferencë dhe pastaj do të pimë kafe së bashku. Besoj se në të ardhmen do të mund sërish të bashkëpunojmë, por ky është vetëm edhe një vend i zbrazur, që do të jetë pjesë e rikonstruimit”, tha Zaev.
Ai ka shprehur falënderim deri te Asaf Ademi për angazhimin e tij në kulturë.
Duke u përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se ai personalisht mendon për ministrin e ri të Kulturës dhe shtoi se ende nuk është i gatshëm të kumtojë emra.