Zaev – Itala: Të dukshme janë vullneti dhe përcaktimi për përballje me keqpërdorime financiare

Shkup, 19 shtator – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga udhëheqësi i Sektorit për inspektim financiar në sektorin publik dhe koordinim të luftës kundër mashtrimit me fondet e Bashkimit Evropian, Fatmir Ademi dhe revizori kryesor për IPA në Trupin revizor për revizion të instrumentit për ndihmë para aderuese (IPA), Adem Curi u takua me Vile Itala, drejtor i përgjithshëm i OLAF – Zyra evropiane për luftë kundër mashtrimeve, i shoqëruar nga përfaqësues të Zyrës, si dhe Delegacionit të BE-së në Shkup.

Qëllimi i takimit, siç thuhet në kumtesë, është intensifikimi i bashkëpunimit mes shtetit tonë dhe Zyrës evropiane për luftë kundër mashtrimeve, në prag të pritjeve për marrjen e datës dhe fillimin e negociatave të vendit tonë me BE-në, me çka hapen më tepër mundësi për vendin tonë drejt IPA fondeve të BE-së. “Në takim u theksua se është i dukshëm vullneti dhe përcaktimi i Qeverisë së RMV-së dhe vendit tonë, për menaxhimin me rreziqet për keqpërdorime financiare të IPA fondeve evropiane ose të parave të tatimpaguesve në vend”, thuhet në kumtesë, përcjellë koha.mk

Bashkërisht u konstatua se në luftën kundër mashtrimeve të mundshme financiare, përveç rregullores ligjore, kyç është edhe bashkëpunimi me OLAF, transparenca e institucioneve shtetërore gjatë shfrytëzimit të mjeteve si dhe besimi.

“E rëndësishme për vendin tonë është përforcimi i bashkëpunimit me OLAF, që do të jetë një ndihmë e madhe veçanërisht pas tetorit, kur presim vendim pozitiv nga Këshilli i BE-së për procesin integrues. Duam të jemi të qartë në përcaktimin, si shtet dhe si Qeveri, për drejtimin dhe shfrytëzimin me përgjegjësi të parave nga fondet evropiane në dispozicion. Përcaktimi ynë si Qeveri është të jemi vend i vërtetë evropian, me zbatimin e të gjitha vlerave evropiane, ndër të cilat janë transparenca dhe përforcimi i kapaciteteve të institucioneve. Veçanërisht jemi të fokusuar për të siguruar sistem gjyqësor funksional dhe joselektues para drejtësisë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për raste paraprake të krimit dhe korrupsionit ose raste të mundshme aktuale. Tanimë shihen rezultatet e para nga reformat në gjyqësor dhe do të vazhdojmë të japim argumente para shteteve të BE-së dhe qytetarëve të tyre, se e meritojmë besimin e dhënë”, tha Kryeministri Zaev.

Në takim u bisedua edhe për aktivitete konkrete në bashkëpunimin e ndërsjellë. Në këtë drejtim është edhe Konferenca ndërkombëtare për njësitë e vendeve kandidate dhe kandidatëve potencial për anëtarësim në BE, për koordinim në luftën kundër mashtrimeve, që mbahet në Shkup, për të cilën është ftuar edhe delegacioni i OLAF i udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm Vile Itala dhe në të cilën marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të shtetit. (koha.mk)