Shkup, 29 mars – Kryeministri Zoran Zaev është i kënaqur nga proceset për reforma të përgjithshme në vend, duke i përfshirë edhe reformat në gjyqësor dhe është i bindur se Maqedonia do të ketë gjyqësor të pavarur.
Duke u përgjigjur në pyetje në seancën e sotme kuvendore, kryeministri Zaev tha se në pjesën e gjyqësorit tashmë punojnë grupe punuese në reforma dhe shprehu bindje se do të krijojnë legjislacion serioz dhe do t’i implementojnë reformat në gjyqësor.
“Jam i kënaqur se si nisën proceset në reformat e përgjithshme në Maqedoni. Do të bëjmë gjithçka dhe vazhdojmë të bëjmë gjithçka të kemi mirëkuptim të gjerë edhe për qëndrimet e opozitës, e cila jep shpresë dhe shansë se reformat janë në interes nacional. Jam i bindur se pjesëmarrja e opozitës në dialogun për ligjet reformuese dhe mundësia për votim të opozitës për këto ligje do të jenë garancia më e mirë për implementim të suksesshëm të vendimeve ligjore”, theksoi Zaev në seancën kuvendore, kushtuar pyetjeve të deputetëve.