Shkup, 1 maj – Merkel dhe Makron e shikojnë vendin si Republika e Maqedonisë së Veriut, e jo si Ballkani Perëndimor. Në konferencën e shefave të shteteve dhe qeverive në Berlin ishim shembull që shkëlqen, ndërsa kancelarja gjermane dhe presidenti francez rekomanduan që t’u ndihmojmë tjerëve, ta ndajmë përvojën tonë rreth asaj se si arrihet sukses në procesin negociues. Secili nga pjesëmarrësit e fillonte dhe mbaronte diskutimin me Marrëveshjen e Prespës”, tha sot kryeministri Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas seancës së rregullt të Këshillit ekonomiko-social në Qeveri, njofton Koha.mk
Zaev edhe një herë përsëriti se pret vendim pozitiv për fillim të negociatave këtë javë, në qershor apo korrik, sidomos sepse të gjithë katër kushtet që janë kërkuar nga ne, tashmë janë zbatuar. Megjithatë., siç theksoi, përveç Marrëveshjes së Prespës dhe reformave, duhet të arrihet edhe dialog dhe konsensus në Kuvend për miratimin e ligjit për prokurori publike.
“Mbetet ende ligji për prokurori publike i cili besoj se do ta votojmë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale. Kushtet tjera i kemi plotësuar”, nënvizoi kryeministri.
Nga Berlini, siç përmendi, është kthyer me optimizëm akoma më të madh sepse edhe ato vende që janë rezervuar, e kanë inkurajuar. Ata sipas kryeministrit, do ta thonë të tyren kur do të vijë koha.
“Katër targetet që na i kanë vendosur, luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar, reformat në jurisprudencë, strukturat e sigurisë dhe administrata publike janë plotësuar. Për këtë konsideroj se i kemi të gjitha parakushtet të presim vendim pozitiv për marrje të datës për fillim të negociatave për anëtarësim në BE. Të paktën që e kemi merituar është vendimi pozitiv për marrje të datës për negociata”, potencoi Zaev.
Duke plotësuar se në Berlin ka pasur takim dypalësh me Merkelin, ndërsa është parë edhe me Makronin, edhe një herë tha se fokusi i konferencës ka qenë zgjidhja e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë.
“I kam ndarë miqësisht të gjitha përvojat e mia nga bisedimet që të ndihmoj, sepse edhe kjo çështje është në ndihmë për Maqedoninë e Veriut, për Ballkanin Perëndimor edhe për Evropën. Besoj se si shembull të mirë, me kaq superlativa, kur secili e fillonte dhe e përfundonte diskutimin me Marrëveshjen e Prespës, me shembullin e Maqedonisë së Veriut, me atë që po ndodh këtu, me dialogun e hapur mes pushtetit dhe opozitës, me reformat juridike dhe të gjitha reformat që janë bërë në jurisprudencë për implementim sa më serioz, të paktën që meritojmë është vendimi pozitiv për marrje të datës për bisedime”, shtoi Zaev. (koha.mk)