Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, Zoran Zaev dhe Avdullah Hoti, kanë vlerësuar raportet e deritanishme mes dy shteteve në të gjitha fushat, përfshirë edhe angazhimin e tyre në përballje me pandeminë e koronavirusit.
Pas takimit në Shkup, kryeministrat Zaev dhe Hoti janë përqendruar në veçanti në projektet infrastrukturore, rritjen e bashkëpunimit tregtar si dhe përgatitjen për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive për konkretizimin e më shumë marrëveshjeve dypalëshe.
Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se Maqedonia e Veriut synon që shumë shpejt të nisë punët për ndërtimin e autostradës Shkup- Bllacë në drejtim të Kosovës.
“Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë besojmë se do të rrisë më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve. Kjo rrugë, aq sa është e rëndësishme për Kosovën, aq është e rëndësishme për Maqedoninë (e Veriut). Dy kilometrat e parë veçse duhet të nisin të ndërtohen. Nëse gjithçka shkon mirë, besoj se në tremujorin e parë të vitit të ri, do të nisin punimet dhe brenda dy vjetësh të përfundojnë të gjitha punimet”, ka deklaruar Zaev, duke theksuar se Kosova mbetet një nga partneret më të rëndësishme tregtare për Maqedoninë e Veriut, që përkundër pandemisë, ka arritur në 170 milionë euro.
Kryeministri maqedonas Zaev tha gjithashtu se i ka bërë ftesë Kosovës që t’i bashkëngjitet iniciativës rajonale të “Mini-shengenit” ballkanik dhe se kjo çështje do të jetë një nga pikat e takimit me presidentin e Serbisë, Alekdandar Vuçiq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ndryshe, kryeministrat e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut e nënshkruanë edhe një memorandum të bashkëpunimit për krijimin e Rrjeteve të pastërta 5G me nënsekretarit amerikan të Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.