Zaev: Gjoba më të vogla për 60 për qind

1

Shkup, 13 dhjetor – Dënimet për bashkësinë e biznesit prej tani do të jenë të drejta dhe proporcionale, do të ketë shkallë midis kompanive të vogla, të mesme dhe të mëdha. Qëllimi është që të stimulohen barazia dhe respektimi i ligjeve. Shtylla e politikës ndëshkuese do të jetë parandalimi, vërejtje para dënimit. Shërbimet inspektuese përmes qasjes edukative dhe bashkëpunimit do të bëjnë kontroll detajues dhe të drejtë, porositi sot kryeministri Zoran Zaev para promovimit të 100 kompanive më të mira anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP).

Zaev potencoi se dënimet për kompanitë e vogla me ligjin e ri do të ulen për 60 për qind dhe gjobat maksimale do të jenë prej 50 deri në 2.000 euro për dallim prej gjobave të rregulluara me ligjin paraprak të cilat arrinin deri në 5.000 euro.

“Qeveria do t’u përgjigjet kërkesave të bashkësisë së biznesit për uljen e gjobave shumë të larta të cilat janë keqpërdorur në të kaluarën për mbylljen dhe shkatërrimin e kompanive si edhe për shantazhe, kompanitë që tani do të duhet ta dinë se shtylla e politikës ndëshkuese do të jetë parandalimi”, nënvizoi kryeministri.

Sipas tij, me vendimet e reja ligjore kompanitë e vogla do të paguajnë dënime më të ulëta në raport me kompanitë më të mëdha. Gjatë përcaktimit të gjobës, siç tha, do të mbahet llogari për të ardhurat e realizuara, numrin e të punësuarve dhe sanksionimet eventuale paraprake.

“Në vitin 2019 buxheti shtetëror i parasheh 37 për qind më shumë mbështetje për bizneset apo 4,1 miliardë denarë për investime, punësime të reja, pagesën e pagave më të larta, eksport më të madh, produkte të reja,… Më pas, kriteret do të jenë të njëjta për të gjithë edhe për kompanitë vendore edhe për të huajat”, përmendi Zaev.

Pronarët porositën se edhe më tej do të mbeten kritikë të ashpër të politikave ekonomike qeveritare, por gjithashtu do të vazhdojnë me bashkëpunimin, duke propozuar zgjidhje sa më të mira për klimë afariste akoma më konkurrente dhe më të suksesshme në vend.

Kompanitë njëherësh kërkuan qeverisjen e të drejtës dhe administratë efikase pasi kjo, sipas tyre, është kyçe për zhvillimin e ekonomisë. E përsëritën edhe kërkesën për rregullimin infrastrukturor të zonës industriale Vizbeg e cila në vit, theksuan, gjeneron të ardhura të mëdha.

“Do të vazhdojë të jemi korrigjuesi i politikave ekonomike, do të jemi kritik ndaj lëshimeve të pushtetit dhe do të kërkojmë përgjegjësi. Por do të japim edhe propozime, do të jemi stimulues dhe mbështetës të bizneseve”, tha kryetari i OEMVP, Nebi Hoxha.

Hoxha nënkuptoi se kompanitë realizuan sukses edhe krahas kushteve të këqija në Maqedoni të cilat veçanërisht u shprehën gjatë dy viteve të fundit.

“Jo gjithmonë e kemi mbështetjen e shtetit, por me profesionalizëm dhe etiketë në punë, suksesi është i pashmangshëm”, theksoi Hoxha.

Vlerësimi i tij se tashmë janë duke u krijuar kushte për biznes klimë të suksesshme, por për rezultate akoma më të mira nevojitet bashkëpunim me Qeverinë, para së gjithash respekt dhe besim.

Në promovimin e Katalogut “TOP 100”, krahas kryeministrit Zaev, morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministri Bujar Osmani si edhe përfaqësues të tjerë të lartë të pushtetit, ambasadorë, pronarë dhe përfaqësues të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare si edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

Comments are closed.