Shkup, 23 tetor – Kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka folur sot edhe për koalicionimin e ASH-së me BESËN për rrethin e dytë zgjedhor si dhe intervistën e liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhënë për një media maqedonase. I pyetur nëse ky rigrupim nënkupton edhe dalje nga qeveria pas 29 tetorit, Zaev ka thënë se është e drejtë legjitime pasi ka kundërkandidat nga BDI në Gostivar dhe Strugë. “Megjithatë është e drejtë e Aleancës sesi do të vendosin. Unë pres që koalicioni qeveritar të mbijetojë dhe të forcohet në periudhën që vijon. Por jam i bindur se shumica parlamentare është stabile dhe ajo do rritet”, ka thënë Zaev gjatë vizitës së sotme në Draçevë. Sa i takon PDSH-së, ai thekson se nuk ka pasur takim me liderin e asaj partie Menduh Thaçi për koalicionim për shumicë të re parlamentare apo pjesëmarrje në qeveri, transmeton Medial.mk. Zaev ka rikujtuar se PDSH në muajin mars ka qenë e painteresuar të hyjë në qeveri, si dhe BESA që siç tha, “vendosi të mos hyjë me porositë për çështje të papranueshme”. Ndërkohë, intervistën e Gruevskit ai e ka vlerësuar kaotike, ndërsa në akuzat për parregullsi zgjedhore, Zaev tha se gjatë fillimit të fushatës, “të gjitha anketat kanë treguar epërsi të LSDM-së dhe koalicionit”.