Shkup, 5 qershor – Europa është motivimi më i mirë për rritje ekonomike, për investime të drejtpërdrejta të huaja dhe për ulje të papunësisë, porositi kryeministri Zoran Zaev në forumin “Maqedonia e Veriut: përshpejtimi i reformave, përshpejtimi i integrimit evropian”, që në organizim të Bankës evropiane për ripërtëritje dhe zhvillim (BERZH) dhe Qendrës për politika evropiane, u mbajt në Bruksel, përcjellë KOHA.
Ai, në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendësdrejtorin e BERZ-it për politika dhe partneritet, Pjer Hejlbron, theksoi se pas raportit pozitiv të Komisionit evropian pritet të përmbushet edhe premtimi i Këshillit të Europës nga viti i kaluar kur u tha se me përmbushjen e kushteve dhe përfundimin e reformave në jurisprudencë, shërbimet e sigurimit, në administratën publike dhe në luftën kundër korrupsionit, do të pasojë fillimi i negociatave për kapitujt në qershor të këtij viti.
Kryeministri, informojnë nga shërbimi qeveritar për shtyp, shtoi se raportet për përparimin e vendeve të tjera nga rajoni nuk duhet të ndikojnë ndaj vendimit për vendin tonë, si dhe se çdo vendim tjetër do t’i lërë mbrapa proceset dhe do ta frenojë përparimin ekonomik që e realizon vendi, i cili fuqishëm mbështetet nga Banka evropiane për ripërtëritje dhe zhvillim.
“Gjatë këtij procesi të integrimeve europiane ndodhën shumë gjëra pozitive në ekonomi. Kjo konfirmon se Evropa është motivimi më i mirë për rritje ekonomike, për investime të drejtpërdrejta të huaja, për rritje të produktivitetit dhe për rritjen industriale. Komisioni evropian këtë e njohu edhe në lartësinë e investimeve të huaja prej 625 milionë eurove në vitin 2018. Kjo është tre herë më shumë nga mesatarja në tetë vitet e fundit. Në tremujorin e fundit të vitit 2018 BPV u rrit në 3,7 për qind, ndërsa për tremujorin e parë të këtij viti, presim rritje më të madhe se katër për qind, ndërkaq e fillojmë mandatin e kësaj qeverie me negative prej 1,8 për qind”, tha Zaev.
“E ulëm papunësinë nga 27 në 19,4 për qind. Rroga mesatare u rrit për 6,1 për qind, Prodhimi industrial u rrit për 88 për qind. Këto janë me të vërtetë parametra të mirë që e konfirmuan fuqinë e motivimit nga Evropa në Maqedoninë e Veriut. Nga marrëveshja me Greqinë realizuam rritje të tregtisë së ndërsjelltë 20,5 për qind. Shumë kompani nga Greqia filluan me procedurat për investim në RMV, ndërkaq tregtia me Bullgarinë u rrit për 15 për qind. Ballkani ka ndryshuar shumë”, theksoi kryeministri Zaev.
Sipas tij, përveç mirënjohjeve për të dhe për kryeministrat Cipras dhe Borisov, tani duhet të vijnë edhe mirënjohjet për popullin në Maqedoninë e Veriut me vendim për fillim të negociatave për kapitujt për integrimin evropian të vendit.
Zëvendësdrejtori i BERZH-it Hejlbron në forum theksoi se Banka evropiane për ripërtëritje dhe zhvillim është partner mjaft i rëndësishëm i Qeverisë në drejtim të realizimit të politikave ekonomike për rritje të konkurrencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe të rajonit në përgjithësi, dhe se vendet nga Gadishulli ballkanik janë vende të vogla dhe nëse dëshirojnë të zhvillohen me dinamikë më të shpejtë, nevojitet të hapen drejt fqinjëve dhe ta rrisin bashkëpunimin mes veti. (koha.mk)