Shkup, 30 maj – Ende nuk ka marrëveshje për emrin, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në konferencën e sotme për shtyp para përmendores së luftëtarëve të rënë në oborrin e Qeverisë me rastin e një viti punë të Qeverisë.
“Ende asgjë nuk është dakorduar. Siç kumtuan ministrat Dimitrov dhe Koxias janë dakorduar parimet e marrëveshjes. Po punohet në aspektin juridik formal të vetë marrëveshjes, pason biseda mes meje dhe kryeminsitrit Cipras, besoj këto ditë, sonte, nesër apo deri të premten. Në këtë bisedë pres të bëjmë hap përpara që është shumë i rëndësishëm dhe prandaj i ndjekim të gjitha spekulimet në opinion. Menjëherë sapo të kemi informatë, në mënyrë transparente do ta ndajmë me opinionin”, tha kryeministri Zaev.
Në pjesën e hapave për zbatim të marrëveshjes, theksoi Zaev, nuk ka asgjë të fshehtë, asgjë të panjohur. Bëhet fjalë për gjëra që janë folur në takimin e liderëve para disa ditëve. Është shtuar vetëm ajo që dikush ka dashur ta shtojë.
“Është lehtë të bisedohet krahas për aspektin formal juridik të marrëveshjes së mundshme dhe për terminet e zbatimit të saj. Këtu në Maqedoni të gjithë qëndrojmë prapa referendumit, ndërsa Greqia ka mirëkuptim për atë. Është logjike të vendosen hapat e zbatimit të marrëveshjes së mundshme”, tha Zaev.
Ai u distancua nga përmendja e prapashtesës lidhur me emrin, sepse bisedimet janë në fazë finale.
Lidhur me kërkesën e presidentit të vendit, Gjorge Ivanov të informohet për rrjedhën e bisedimeve, Zaev tha se në takimin e liderëve, shefi i shtetit është informuar plotësisht për të gjitha hollësitë. Ndërsa për momentet e reja të procesit të negociatave që ndodhën pas takimit të liderëve do të informohet nga minsitri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, i cili, siç tha, që sot do të kërkojë takim me Ivanovin për ta informuar për finesat e fundit të negociatave.
Në pyetjen përse para referendumit do të duhet të ratifikohet Marrëveshja në Kuvend me 61 deputetë, kryeministri Zaev tha se kjo bëhet në mënyrë që Greqia të dërgojë letër në NATO dhe të marrim ftesë për në NATO.
“Ratifikimi i marrëveshjes është diçka prapa të cilit qëndrojnë dy qeveritë dhe sipas të gjitha gjasave, shumica parlamentare, e shpresoj se ajo do tëp jetë një shumicë mjaft e madhe, së bashku me opozitën, Por, gjithsesi të gjithë duhet të dinë se përfundimtar është referendumi. Fundi i shtatorit, fillimi i tetorit, sipas të gjitha gjasave është koha adekuate. Do të dakordohemi të gjithë faktorët në shtet kur do që të mbahet ai referendum dhe përmes tij qytetarët do të na i japin udhëzimet. Por, njëkohësisht, qytetarët që do të dalin në referendum dëshirojnë t’i dinë qëndrimet e politikanëve dhe ajo është procedurë e hapur dhe transparente dhe mënyrë në të cilën zgjidhen problemet”, deklaroi Zaev.
Në pyetjen e gazetarëve nëse me Marrëveshjen për miqësi me Bullgarinë do të ndërrojë historia e Maqedonisë dhe nëse do të mbrohet pakica maqedonase, kryeministri tha se në marrëveshje shkruan qartë se Maqedonia do t’i mbrojë të drejtat e bashkësisë së vet jashtë shtetit, në pajtim me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që ekzistojnë dhe janë obliguese për të gjitha vendet.
Pas nëntë muajve, shtoi, patë se vetëm po përmirësohet bashkëpunimi, nuk ka kurfarë dëmi për shtetin, as për qytetarët, e ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Nëse dëshirojmë në BE duhet të jemi evropianë dhe në pajtim me atë duke e mbrojtur identitetin tonë, veçantinë nacionale dhe krenarinë, gjithsesi duhet ta pranojmë miqësinë edhe me fqinjët dhe me të gjitha vendet e tjera në BE.