Kryeministri i ri Zoran Zaev sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë e ndërmori funksionin nga Emil Dimitriev. Zaev ishte i shoqëruar nga disa anëtarë të kabinetit të ri qeveritar. Paraprakisht anëtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë u pritën nga presidenti Gjorge Ivanov. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mbrëmë para mesnatës me 62 vota “pro”, 44 vota “kundër” dhe pesë “abstenim” e zgjodhi Qeverinë e re.
Kabineti qeveritar ka 25 ministra. Radmilla Shekerinska është zgjedhur ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski ministër i Punëve të Brendshme, Dragan Tevdovski ministër i Financave, Nikolla Dimitrov ministër i Punëve të Jashtme, Renata Treneska Deskovska ministre e Arsimit dhe Shkencës, Goran Sugarevski ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Lupço Nikollovski ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave, Milla Carovska ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Damjan Mançevski ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Sadulla Duraku ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë, Bylent Salihu ministër i Drejtësisë, ministër i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu, ministër i Shëndetësisë Arben Taravari dhe Robert Allagjizovski ministër i Kulturës.
Koço Angjushev është zgjedhur ministër pa portofol, i cili siç është paralajmëruar do të jetë zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, Bujar Osmani gjithashtu është zgjedhur ministër pa portofol, por do të jetë zëvendëskryeminsitër për Eurointegrime, si dhe Hazbi Lika, i cili sipas paralajmërimeve do të jetë zëvendëskryeministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Kominiteteve. Për ministra pa portofol janë zgjedhur edhe Edmond Ademi, Robert Popovski, Adan Qahil, Samka Ibraimovski, Zoran Shapuriq dhe Zorica Apostollovska. Gjatë ditës po kryhen pranim-dorëzimet e funksioneve në disa ministri.