Zaev: Do të bisedohet për bashkëpunimin e ardhshëm në koalicionin qeveritare

Kryeministri Zoran Zaev deri më tani nuk ka biseduar me partitë politike për hyrjen apo daljen eventuale nga Qeveria, si dhe për plotësimin e vendeve të zbrazëta ministrore, të zëvendësve dhe të drejtorëve pas zgjedhjeve lokale. Pret që kjo të ndodhë në ditët në vijim.

“Presim që këto ditë situata të qetësohet. Tani kemi pak koka politike të ndezura në shtetin tonë. Shpresoj në një atmosferë të qetë, diku për fundjavë, t’i hapim proceset se si më tej, për shkak se kemi vende të zbrazëta në Qeveri – ministër, zëvendësministër, disa drejtorë”, deklaroi Zaev në margjinat e Samitit të sotëm Maqedonia 2025.

Në pyetjen nëse do të vazhdojë koalicioni me Aleancën për shqiptarët i kryesuar nga Sela, Zaev tha se kjo nuk varet vetëm nga ai, por edhe nga Sela, por edhe nga partnerët e tjerë të koalicionit. Ai gjithashtu, deklaroi se deri më tani nuk ka biseduar me Menduh Thaçin për hyrjen eventuale të PDSH-së në koalicionin qeveritar.

I pyetur nëse Sela tërhiqet nga koalicioni do të kenë shumicë dhe nëse do të bisedojnë me deputetin Çedomir Sazdovski për hyrjen në koalicionin qeveritar, kryeministri Zaev tha se deri më tani nuk ka pasur  biseda të këtilla me Sazdovskin.

Theksoi se i përcjell të gjitha kombinimet në opinion lidhur me çështjen për hyrje dhe për dalje nga Qeveria, të cilat vijnë edhe nga partnerët tanë qeveritarë, por, tha tash për tash askush nuk ka biseduar me të. Theksoi se nuk ka biseduar as për kandidatë të mundshëm për ministra dhe zëvendësministra në Qeveri dhe se mbeten në kriteret e vendosura më herët, e ajo është që të jenë emra cilësorë, të cilëve opinioni u beson, të cilët kanë treguar kapacitet serioz që të mund të jenë kandidatë të ardhshëm për shqyrtim për vendet e zbrazëta.

Në akuzat e Selës se ai më shumë i mbron BDI-në sesa që e ka bërë këtë VMRO-DPMNE, kryeministri Zaev tha se LSDM-ja është pozicionuar parimisht duke publikuar koalicione.

“Ne jemi pozicionuar parimisht duke publikuar koalicione dhe kemi qëndruar realisht prapa personaliteteve dhe kandidatëve, për të cilët besojmë dhe këtë do ta bëjmë siç u ka hije partnerëve të koalicionit. Kur e kemi komunikuar koalicionin që për zgjedhjet parlamentare, paralajmëruam se ky do të jetë koalicion për afat të gjatë. Unë nuk mund të jem faktori i vetëm që do të garantoj që koalicioni në nivel qendror të mbijetojë me të gjithë, por e di se do të bëj gjithçka që ky koalicion jo vetëm me BDI-së por edhe me partnerët e tjerë të koalicionit të jetë stabil dhe të ndërtojë në një periudhë të gjatë. Por, në këto zgjedhje kjo ishte tekstualisht e pamundur. E dini se kush e bëri hapin me BESË-n, me VMRO-DPMNE dhe ngjashëm. Dhe për mua kjo është logjike sepse pushteti lokal është i ndryshëm nga ai qendror”, deklaroi Zoran Zaev.