Shkup, 9 shtator – Kryeministri dhe lider i LSDM-së Zoran Zaev dhe kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski nesër në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në takim liderësh do të tentojnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për Ligjin e Prokurorisë publike me të cilin zgjidhet edhe fati i Prokurorisë Speciale Publike (PSP), informon Koha.mk
Takimi i liderëve siç kanë konfirmuar për MIA burime qeveritare do të fillojë në ora 20 dhe do të mbahet në format një plus katër.
Në fokusin e takimit të liderëve do të jetë Ligji për Prokurorinë publike, por Mickoski mbrëmë për Alfa ka paralajmëruar se do ta hapë temën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga Qeveria për MIA thonë se temë kryesore është Ligji, ndërsa për atë nëse do të bisedohet për zgjedhje të parakohshme do të shihet në vendngjarje.
Nga VMRO-DPMNE për MIA kanë konfirmuar mbajtjen e takimit të liderëve, por kanë thënë se përveç Ligjit për Prokurorinë publike, temë do të jenë edhe zgjedhjet e parakohshme. Nga partia thonë se tema e zgjedhjeve të parakohshme ka qenë kusht për mbajtjen e takimit të liderëve.
Zaev dje në porosinë e Ditës së pavarësisë mes tjerash ka shprehur siguri se vendi ka kapacitet me dy të tretat e shumicës ta sjell edhe Ligjin për Prokurori publike.
“Të gjitha rastet dhe rastet për krim eventual dhe korrupsion, si në vendet e zhvilluara patjetër të kenë epilog efikas dhe të drejtë. Atë e presin qytetarët dhe më këtë do t’i japim argument shtesë BE-së se jemi fuqishëm të përcaktuar drejt drejtësisë dhe ndërtimit të shtetit juridik”, ka thënë Zaev.
Për shkak të afateve të shkurtuara, Ligji për Prokurori publike pritet të miratohet më së voni deri më 15 shtator. Që të miratohet nevojitet dy të tretat e shumicës së deputetëve, ndërsa sjellja e saj është kyçe për eurointegrimet e vendit.
Takimi i fundit i grupeve të punës midis pushtetit dhe opozitës për ligjin që u mbajt javën e kaluar nuk solli ndonjë epilog esencial, ndërsa tani zgjidhja kërkohet në takimin e liderëve. (koha.mk)