Shkup, 1 gusht – Në dy vitet e kaluara nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Miqësisë dhe Bashkëpunimit, shumë gjëra që më parë ishin të paimagjinueshme janë përfunduar falë qeverive të Shkupit, Sofjes dhe Athinës, duke hapur perspektivën e Maqedonisë Veriore në një rrugë drejt Evropës, tha kryeministri bullgar Bojko Borisov në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin Zoran Zaev.
“Nuk ishte e lehtë, u bënë përpjekje të mëdha që dhanë rezultate, të cilat u njohën dhe u shpërblyen nga presidenca e përbashkët e Bullgarisë dhe e Maqedonisë së Veriut me procesin e Berlinit. Evropa dhe bota vlerësojnë se ka politikanë të guximshëm në Ballkanin Perëndimor. Duhet të punojmë çdo ditë, koha është e shkurtër, për të mbyllur të ashtuquajturat çështje konfliktuale”, tha Borisov.
Kryeministri bullgar shprehu shpresë së do të gjendet zgjidhje edhe për çështjet e hapura lidhur me personalitetet dhe ngjarjet historike.
“Shpresoj se historianët jo vetëm që nuk do të pengojnë por do të bëjnë përpjekje që të gjejnë zgjidhje për çështjet historike që do të na bashkojnë “, tha Borisov.
Borisov në pres konferencën e përbashkët kërkoi falje që para pak kohësh qytetarët e Maqedonisë së Veriut i quajti “verimaqedonas”.
“Më falni që thashë verimaqedonas, ishte një gabim nga ana ime. Qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, më falni, por kjo është bërë pa dashje nga ana ime”, deklaroi Borisov.
Kryeministri Zaev theksoi se Evropa ka njohur entuziazmin e përbashkët që i jep Ballkanit një imazh të ri. Prandaj, Shkupi dhe Sofja do të bashkë-kryesojnë procesin e Berlinit, i cili, tha ai, është një konfirmim i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë.
“Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria i kanë treguar Ballkanit, Evropës dhe botës se çështjet mund të zgjidhen përmes bisedimeve, respektit dhe durimit edhe pa ndërmjetës”, tha Zaev.
Në kontekstin e diskutimeve për çështjet e historisë, Zaev tha se deri më tani është arritur marrëveshje dhe personalitetet dhe ngjarjet nga historia e përbashkët tashmë janë nderuar reciprokisht. Ai shprehu shpresë se të dy palët do të vazhdojnë me përkushtim dhe pa paragjykime zgjidhjen e çështjeve të tjera të hapura, veçanërisht për Goce Delçev, i cili, siç tha ai, është një person që lidh të dy vendet dhe të dy popujt.