Shkup, 30 mars – Kryeministri Zoran Zaev konfirmoi se mbrëmë në Kuvend ka pasur takim me liderin e BDI-së Ali Ahmeti. Siç tha sot në konferencën për shtyp, duke i’u përgjigjur pyetjes së gazetarëve, është biseduar për problemin me Greqinë, pritjet nga ngjarjet e sotme në Vjenë dhe zgjerimin e koalicionit qeveritar.
Qeverisë, theksoi Zaev i nevojitet shumicë parlamentare më stabile sepse vijojnë vendime serioze për Maqedoninë.
Deri më 10 prill, potencon kryeministri, pritet të emërohen zëvendësministrat në vendet e zbrazëta, drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe sekretarët shtetërorë, ndërsa deri më 17 prill të sillen ligjet reformuese të parashikuara me Planin 3-6-9.
“Dje në pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar në kabinetin e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi sepse deri më 15 prill duam t’i vendosim ligjet reformuese. Më 10 prill shumica do të jenë në seancë, ndërsa përfundimisht me datën 17-të kur duhet ta marrim raportin e Komisionit Evropian, presim të miratohen”, tha Zaev dhe shtoi se pas raportit, më 17 prill pret vizita të rëndësishme, të Mogerinit dhe Hanit, për punë të mira.
Në lidhje me qëndrimin që e nxori ambasadori rus Shçerbak, kryeministri shfaqi shpresë se të dy vendet do të fokusohen në ndërtimin e miqësisë, ndërsa jo në grindje.
“Vepruam sipas ligjeve dhe Konventës vjenase. Maqedonia ka qëllime strategjike, ndërsa ato janë anëtarësimi në NATO dhe BE. Nuk kërkojmë anëtarësim në Aleancë që të sulmojmë dikë, por për paqe në botë dhe respektim të të drejtave të njeriut”, theksoi Zaev, duke shtuar se vendi mbetet në përcaktimin e thellë t’i zhvillojë marrëdhëniet me Rusinë.
Zaev në konferencë për shtyp edhe një herë bëri apel të lejohet miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Ta lëshojmë ligjin të jetojë që të shohin të gjithë se nuk ka asgjë të tmerrshme në të dhe se jemi të shkarkuar nga çfarëdo qoftë paragjykimesh. Bllokimi do të thotë se dikush frikësohet që ligji të jetojë, por kur do të miratohet të gjithë do të kuptojnë se nuk ka pasur nevojë dhe kjo ka qenë gënjeshtër”, tha Zaev.
Sipas tij, për ligjin ka dy opsione ose të shkojë para Gjykatës Kushtetuese ose atë që e shqyrtojnë ekipet juridike në Kuvend dhe institucionet e tjera.
Lidhur me vendosjen e taksave progesive, kryeministri tha se nuk duhet të frikësohemi nga asnjë reformë që do të sillet me debat.