Shkup, 7 maj – Pas pauzës së shkurtër që u dha për shkak problemeve me sistemin kompjuterik në Gjykatën Penale, Kryeministri Zoran Zaev si i akuzuar në lëndën “Ryshfeti” vazhdoi me dhënien e dëshmisë lidhur me procedurën për shitjen e tokës ndërtimore shtetërore.
Ai theksoi se çmimin e shitjes të tokës shtetërore e cakton Qeveria dhe se vendimi i tillë nuk varet prej shërbimeve komunale.
Zaev tha se lidhur me ndërtimin e tempullit, biznesmenët e Strumicës kanë mbajtur takime me peshkopin Naum, në të cilat është dakorduar vetë ata të donojnë që të jenë motivim edhe për qytetarët e tjerë.
“Familja ime përmes firmave të veta ishte e para që pagoi para në llogarinë për kishën. Dhuruan edhe përqindje më të madhe nga materialet ndërtimore, ndërsa unë si kryetar komune personalisht nga llogaria ime pagova para për ndërtimin e tempullit”, tha Zaev.
Duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit FIlip Medarski, Zaev tha se disa ditë para se të filmohet në zyrën e kryetarit të komunës së Strumicës, pas përfundimit të takimit të Këshillit ekonomiko-social, dëshmitari Ivan Nikollov i është afruar dhe ka filluar të bisedojë për donacionin për kishën.
“Fjalët e tij ishin: Zotëri kryetar unë nuk do të mund të jap nga tre euro për metër katror për arsye se pushteti do ta konsiderojë këtë si mbështetje për Zaevin”, tha Kryeministri para gjykatës.
Zaevi i është përgjigjur Nikollovit se “kjo është mes tij edhe Zotit dhe sa dëshiron, aq edhe të dhurojë”.
Sipas Zaevit, ky ka qenë edhe tentimi i parë i skenarit për mashtrimin e tij për qëllime politike.
“Supozimi im është se me persona të caktuar në atë kohë, mes të cilëve edhe Mitko Çavkov, i cili gjithashtu është nga Strumica, ka filluar të realizohet skenari që të më pengojnë si shef i opozitës t’i publikojë bombat politike”, tha Zaev.
Seanca e ardhshme për “Ryshfetin do të mbahet më 9 maj kur do të shikohet filmimi i shkurtuar që u publikua në JuTjub. Filmimi sot nuk u lëshua në seancë sepse nuk kishte mundësi teknike për këtë.
Në gjykimin paraprak pa prezencën e opinionit ishte lëshuar video incizimi i plotë për të cilën kryeministri Zoran akuzohet për marrjen të ryshfetit.
Pas përfundimit të seancës paraprake Zaev tha se e respekton vendimin e Gjykatës për përjashtimin e opinionit gjatë prezantimit të video incizimit, duke theksuar se kjo do të paraqiste shkelje të Ligjit për informacione të klasifikuara.
Kryeministri Zoran Zaev, akuzohet se si kryetar i Komunës së Strumicës ka kërkuar ryshfet prej 163.000 euro nga biznesmeni Ivan Saçevaliev.