Shkup, 4 janar – Dëshiroj të kemi kandidat konsensual për president, i cili do të jetë babai i kombit dhe pas së cilit do të ndalemi të gjithë, tha kryeministri Zoran Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas nënshkrimit të marrëveshjes për hua për ndërtimin e centralit fotovoltaik Osllomej në Qeverinë e RM-së.
“Deri më tani nuk është hapur proces lidhur me përcaktimin e kandidatit për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pasi në vijim është një proces serioz për përfundimin e procedurës për ndryshime kushtetuese në Parlament”, tha kryeministri dhe paralajmëroi se menjëherë më pas do ta hapin debatin.
Theksoi se i vjen mirë që ka kandidatë, por se do të duhet të shihet se cilët prej tyre i duan qytetarët.
“Dëshiroj të kemi kandidat konsensual prej të gjithëve. Të kemi njeri i cili do të jetë babai i kombit pas së cilit do të ndalemi të gjithë”, tha Zaev dhe shtoi se shpreson se do të zgjidhet kandidati për të cilin do të jetë nder të qëndrojnë pas tij dhe ta promovojnë si president të ri të Republikës së Maqedonisë.
Kryeministri pret që koalicioni qeveritar të fitojë në zgjedhjet presidenciale por, siç thotë për vendimin e qytetarëve kyç do të jetë personaliteti i kandidatit.
“Do të tentojmë ta gjejmë më të mirin apo më të mirën. Do të përpiqemi të gjejmë kandidat i cili maksimalisht do të jetë i pranueshëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë”, thotë Zaev.