Shkup, 30 tetor – Kryeministri Zoran Zaev, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me deklaratën e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferit, se Parlamenti do të shpërbëhet me 11 shkurt, shprehi bindje se ratifikimi i Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO do të përfundojë ndërkohë edhe në dhomën tonë ligjdhënëse.
“Unë besoj se me kohë do ta kryejmë këtë punë. Shteti po bëhet gati, që ne me institucionet tona, në këtë rast Parlamentin, mos të jemi pengesë. Kjo nënkupton se Parlamenti me kohë ta miratojë Ligjin e ri për mbrojtje. Kjo është me rëndësi për shkak se përmes tij, ne adaptohemi me gjithë ato obligime si anëtare e re e NATO-s, kuptohet edhe për ratifikimin me kohë të Protokollit në Parlamentin tonë”, theksoi Zaev, transmeton KOHA.
Kryeministri po ashtu theksoi se nder i madh është që SHBA-ja e përfundoi ratifikimin për Protokollin në NATO, të cilin tradicionalisht ata e realizojnë të fundit.
“Kryetari Xhaferi është i vendosur në vendimin për shpërbërjen e Parlamentit. Apeli i të gjithë liderëve kur ishim te presidenti Pendarovski ishte që ta shfrytëzojmë afatin ligjor prej 45 ditëve për të pasur rezervë kur të gjithë shtetet ta ratifikojnë Protokollin, gjegjësisht mos të vijmë në situatë që Protokolli të vije në Parlamentin tonë dhe mos të ketë mundësi ta ratifikojë”, tha Zaev.
Ndërkohë, kryeparlamentari Talat Xhaferi sot në një takim me gazetarë i porositi politikanët të udhëhiqen me Kushtetutën në raport me ditën e zgjedhjeve. Kjo i bie 60 ditë nga dita e shpërbërjes së Parlamentit. Nëse respektohen të gjitha afatet ligjore, kjo datë është 11 shkurti. Menjëherë pas kësaj, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilët pritet të mbahen më 12 prill.
Sipas kryeparlamentarit Xhaferi, nëse ka nevojë për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO, nuk ka mundësi të konvokohet Parlamenti. Për këtë arsye ai tha se do të duhet të pritet përbërja e re parlamentare. (koha.mk)