Novaci, 24 gusht – Besoj se bashkë me opozitën me konsensus do ta sigurojmë mbështetjen e Ligjit të ri për Prokurorinë publike, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës së sotme në rajonin e Pellagonisë.
Sipas njeriut të parë të Qeverisë së Maqedonisë, Ligji i ri për Prokurorinë publike përmban 80 për qind të propozimeve të opozitës më të madhe VMRO-DPMNE dhe pret marrëveshje për sjelljen e ligjit.
“Ligji i ri për Prokurori publike përmban mbi 80 për qind të propozimeve të partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE. Në propozim vendimin ka shkrirje të PSP-së me Prokurorinë për krim të organizuar dhe ajo siguron të ardhme. Pres të merremi vesh, ndërsa deputetët të deklarohen pasi ditët po numërohen. Për këtë punë bisedojmë gati një vit, ndërsa ngelen vetëm njëzet ditë për bisedime. Sinqerisht besoj se bashkë me opozitën me konsensus do të sigurojmë mbështetje të Ligjit të ri të Prokurorisë publike”, ka thënë Zaev, transmeton Koha.mk
Ai ka dërguar porosi deri te organet kompetente të gjejnë zgjidhje për ushtrues detyre të PSP-së dhe të mos lejohet asnjë lëndë të rrezikohet.
“Tani menjëherë duhet të gjendet zgjidhje për ushtrues detyre të PSP-së si zgjidhje e përkohshme, pastaj besoj se të gjitha partitë politike mund të gjejmë zgjidhje konsensuale dhe jo më vonë se 15 shtator për Ligjin e ri të Prokurorisë publike. Grupet e punës vazhdojnë me punë të hënën dhe e di se është e tejkalueshme ajo që duhet ta zgjidhim, kuptohet duke respektuar “linjat e kuqe”, ndërsa ajo është e ardhmja e PSP-së, Kushtetuta, ligjet…gjithçka zgjidhet nëse ka përgjegjësi në shtet. Bëj apel deri te organet e gjyqësisë të sjellin vendime të shpejta pasi nuk guxon të lejohet jo një ditë, as edhe një sekondë, çfarëdo lënde të rrezikohet, pasi gjyqësia punon me afate dhe besoj se asnjë proces nuk do të rrezikohet”, ka thënë kryeministri Zaev në pres konferencën e sotme në Novaci. (koha.mk)