Pas vendimit të madh në Parlamentin tonë i zgjodhëm të gjitha dilemat dhe e vërtetuam atë se së bashku e çojmë përpara vendin tonë drejt së ardhmes që e duam, si shtet të familjes evropiane dhe anëtare të NATO-s, të cilët na pranuan si maqedonas me identitetin tonë dhe krenarinë tonë, vend në identitetin e së cilit janë edhe identitetet e të gjithë qytetarëve të saj, shqiptarë, turq, romë, serbë, vllahë, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët të cilët jetojnë në Maqedoninë tonë.
Këtë e theksoi kryeministri Zoran Zaev sot në konferencën për shtyp pas votimit të djeshëm të ndryshimeve të Kushtetutës për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.
Këto ditë, potencoi Zaev, së bashku me miken tonë Greqinë do t’i hedhim poshtë izolimin dhe mosmarrëveshjet dhe së bashku do ta vërtetojmë vendimin historik. “Jam i bindur se edhe deputetët në Parlamentin grek do ta njohin edhe rolin e tyre të madh në këtë moment historik. Fuqishëm besoj se mikja jonë Greqia do ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës dhe se do të jetë vendi i parë që do ta nënshkruaj protokollin e NATO-s, ndërsa pastaj do t’i tërheqë edhe vendet e tjera anëtare të Aleancës që të jemi vendi i 30-të anëtar i NATO-s”, tha Zaev.
Ai e falënderoi çdo deputet për, siç tha, këtë vendim të madh dhe të përgjegjshëm. E di, theksoi, se sa ishte e vështirë të bëhet kjo, e ndjej dhe e kuptoj edhe zemërimin, por edhe krenarinë e çdo qytetari prej shumicës për vendimin që të pranohet ky hap për të mirën dhe për të ardhmen e vendit tonë dhe të popullit tonë.
“Zemërimin ia lëmë së kaluarës dhe me krenari shikojmë drejt së ardhmes, shkruam historinë dhe hapëm faqe të reja të bardha të së ardhmes tonë për të shkruar realitetin e ri, perspektivën e re të Republikës së Maqedonisë së Veriut vend anëtar i familjes evropiane dhe euroatlantike”, tha Zaev.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tha se në mënyrë serioze do të mendojnë për kërkesën e liderit të VMRO-DPMNE-së opozitare për zgjedhje parlamentare të parakohshme.
“Qëndrimin tim e dini. Maqedonia duhet ta shfrytëzojë këtë para së gjithash për ekonominë, reformat, ta rregullojmë sistemin tonë dhe të bëhemi vend normal. Të gjithë e dinë, e di edhe unë edhe zoti Mickoski atë që e kërkon lut Zotin të mos ndodh. Por e kërkon njeriu i parë i opozitës. Prandaj në mënyrë serioze do të mendojmë dhe do ta hapim sa më shpejtë që është e mundur me organet më të larta të LSDM-së, do ta hap LSDM këtë çështje, pasojnë zgjedhjet presidenciale dhe është e vlefshme për t’u menduar si çështje pasi nuk duam të lëmë kurrfarë gjurme të shantazheve, mosndihmesës ose çfarëdo tjetër në shoqëri”, tha Zaev.