Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev në konferencën e sotme për shtyp theksoi se, sipas tij asnjë parti nuk mund të bojkotojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pa marrë parasysh se kur do të mbahen ato.
“Fillimisht, nuk mundet të bojkotohen zgjedhjet nga askush, për shkak se të gjithë marrin pjesë në zgjedhje . Të gjithë kanë shprehur vullnetin për të marrë pjesë në zgjedhje. Kanë parashtruar listat e kandidatëve, kandidatët kanë mbushur deklarata në noteri, u morën vendime nga organet e partive politike, KSHZ-ja i pranoi listat, pas kësaj përfundoi edhe tërheqja e shortit, të gjithë kandidatët tashmë e dimë edhe numrin e vendvotimit, zgjedhjet janë definuar. Bëhet fjalë për bojkotim eventual të kampanjës, por nuk e duam as këtë, duam të gjithë të marrin pjesë”, tha mes tjerash Zaev.
Ai madje thotë se edhe nëse nuk arrihet marrëveshje, do të hyjnë në fuqi procedurat ligjore. “Kemi argumente plus, përskaj vendeve tjera që shkojnë në zgjedhje, ne nuk kemi parlament funksional. Në rast se nuk arrijmë të merremi vesh, nuk është çështja se çka kërkojnë partitë politike, çka kërkon opozita, por atëherë do të veprojmë në bazë të kushtetutës dhe Ligjeve. Nuk do të lejojmë që të shkelet Kushtetuta dhe Ligjet. Kemi, mundësi edhe disa ditë që të diskutojmë, në të kundërtën hyjnë në fuqi procedurat ligjore dhe kushtetuese”, tha Zaev.