Publikisht u publikua edhe nga Katedra e gjuhës maqedonase dhe nga Fakulteti përkatës në të cilin ndodhet kjo katedër, se nuk ka kurrfarë planesh për mbylljen e saj dhe askujt nuk i shkon ndërmend një gjë e tillë, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev, duke i komentuar informacionet për gjoja planet për mbylljen e Katedrës.
Ai potencoi se këtë vit kur e shënojmë njëqindvjetorin e lindjes së Bllazhe Koneskit, e shënojmë edhe vitin e gjuhës maqedonase.
“Është duke u punuar në digjitalizimin dhe afirmimin e gjuhës maqedonase në botë”, theksoi Zaev, duke shtuar se kjo është me qëllim që t’u lehtësohet fëmijëve të mërgimtarëve tanë më lehtë ta mësojnë gjuhën, si edhe për afirmimin e saj në arkivat, bibliotekat dhe institucionet e tjera të BE-së.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në promovimin e pamjes së re të Sallës Universale në Shkup, rreth “refuzimit të ASHAM-it për futjen e Maqedonisë së Veriut në emër”, Zaev theksoi se Marrëveshja e Prespës duhet respektuar.
“Marrëveshja e Prespës është ligj. Ratifikimi i saj është bërë në Kuvend dhe ky është ligj, ndërsa ligji duhet respektuar. Kur nga ASHAM kërkuan t’i tërheqim ndryshimet e ligjit, ne i tërhoqëm pa pyetur përse”, shtoi Zaev.
Ai theksoi se në pajtim me Marrëveshjen e Prespës kemi afate ligjore të cilat duhet të respektohen dhe të gjitha institucionet e financuara nga shteti duhet ta ndryshojnë emrin e tyre, ndërsa ASHAM, siç shtoi, është një prej këtyre institucioneve.
“Është gjetur zgjidhje shumë e mirë në bisedë dhe në marrëveshje me Greqinë dhe besoj se do të gjendet zgjidhje edhe për këtë punë. Ligji duhet të respektohet edhe këtu”, shtoi Zaev.