Shkup, 16 prill – Në seancën e sotme gjyqësore dyorëshe për rastin “Ryshfeti” në të cilin i akuzuar është kryeministri Zoran Zaev, pa prani të publikut në Gjykatën Penale ishin dëgjuar të gjitha bisedat të siguruara me masa PH dhe ishin lexuar edhe SMS porositë.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore Zaev tha se as në bisedat por as në SMS porositë nuk ka pasur marrëveshje për ryshfet.
“Absolutisht nuk ka asgjë që është e lidhur me përpjekjet që të jem i dyshuar si person i cili ka marrë ryshfet ose ka bërë përpjekje të marrë ryshfet. Në gjithë këto biseda flasim me nëpunës nga Komuna e Strumicës, si dhe me Ivan Nikollovin që të përshpejtohen procedurat, si rrjedhin të gjitha procedurat dhe qëllimi final është që të përfundojë puna të cilën pala e ka para komunës”, tha Zaev.
Theksoi se e ka ditur se si mund të jenë bisedat dhe se gjithçka është komplet e pastër.
“Gjithçka është e pastër. Unë edhe e dija se si mund të jenë bisedat, për atë kur nuk keni asgjë as të menduar, nuk mund të jenë ndryshe bisedat”, shtoi kryeministri.
Në mënyrë precize në të gjitha procedurat dhe në të gjitha bisedat telefonike, siç tha, bëhet fjalë vetëm për përfundim të lëndëve.
“Është dëshmi se lëndë të caktuara tashmë kanë përfunduar dhe në këtë periudhë askush nuk ka kërkuar para, e as diçka tjetër dhe kjo vetvetiu konfirmon se bëhet fjalë për proces të montuar”, theksoi Zaev.
Avokatët e Zaevit thanë se Gjykata e Apelit ende nuk ka sjellë vendim pas ankesës së Prokurorisë dhe se nuk dihet se nëse opinioni do të mund ta dëgjojë dhe ta shohë incizimin e plotë, një pjesë e të cilave veçmë janë publikuar në Jutub dhe që janë dëshmi në këtë procedurë.
Seanca e ardhshme gjyqësore për rastin “Ryshfeti” është caktuar për më 30 prill.
Zoran Zaev në lëndën “Ryshfeti” akuzohet se si kryetar i komunës së Strumicës nga biznesmeni Saçevaliev ka kërkuar ryshfet prej rreth 160.000 euro për legalizim të një toke ndërtimore.