Republika e Maqedonisë së Veriut për përdorim të përgjithshëm, që do të saktësohet me amendament në Kushtetutë është marrëveshja, që e kanë arritur Maqedonia dhe Greqia në procesin e negociatave për zgjidhjen e kontestit për emrin. Këtë e bëri të ditur sonte në konferencë për shtyp kryeministri Zoran Zaev në prani të të gjithë ministrave në Qeveri. “Angazhimi ynë në kompromis është përkufizimi i emrit të saktë për shtetin tonë, emër i cili është i dinjitoz dhe i saktë në aspektin gjeografik, Republika e Maqedonisë së Veriut, i përkthyer në të gjitha gjuhët”, tha Zaev.
Potencoi se marrëveshja është konfirmim për gjuhën maqedonase në Kombet e Bashkuara. Gjuha do të jetë maqedonase/macedonian pa fusnota, kombësia është maqedonase gjegjësisht qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut (Macedonian/citizen of the Republic of Macedonia). Marrëveshja, siç tha do të prezentohet para të gjitha subjekteve politike relevante në shtet, e nënshkruar nga përfaqësuesit e të dyja qeverive, pas së cilës pason ratifikimi në Kuvend.
Do të shqyrtohet në seancën e qeverisë të enjten dhe siç përmendi ndoshta gjatë kësaj fundjave apo ditëve të ardhshme do të ctakohet takim midis tij dhe Ciprasit. Përmendi se takimi siç është paralajmëruar mund të ndodh në Prespë të Vogël, por se akoma ky informacion nuk është zyrtar. Pas ratifikimit Greqia do t’i dërgojë letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, me të cilën do ta njoftojë se midis dy vendeve nuk ka kontest dhe pengesa Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim.
Është paraparë Greqia t’i dërgojë letër edhe kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilën do ta njoftojë se më nuk ka pengesa dhe rekomandohet të marrim datë për fillimin e negociatave për anëtarësim. “Besojmë fuqishëm se Këshilli Evropian më 28 qershor do të sjellë vendim për fillimin e negociatave me Maqedoninë. Besojmë fuqishëm se në samitin e NATO-s më 12 korrik në Bruksel Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim të plotfuqishëm si anëtarja e 30-të e Aleancës.
Theksoi se ky është vendim i vërtetë, ndërsa vota e qytetarëve është përfundimtare. Në vjeshtë qytetarët duhet të prononcohen për referendum. “Pasi qytetarët tanë ta konfirmojnë këtë marrëveshje historike Greqia nga fundi i vitit do ta ratifikojë në Kuvend, si edhe protokollin e anëtarësisë tonë në NATO”, shtoi Zaev.