Shkup, 15 nëntor – Bisedimet për zgjedhje të ministrit të ri të Shëndetësisë janë në vijim me partnerët e koalicionit nga koalicioni qeveritar. Në opsion janë disa emra. Rikonstruksion të Qeverisë do të ketë nëse zgjidhet kandidat që nuk vjen nga Aleanca për shqiptarët, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev.
“Akoma nuk kemi vendosur. Kemi filluar bisedime me partnerët e koalicionit, shpresojmë se deri në fund të kësaj jave do të mund të marrim vendim. Të gjitha opsionet janë të hapura, momentalisht as unë nuk e di se kush do të jetë emri, nga cila parti, kush do të zgjidhet nga kandidatët”, tha kryeministri Zaev në pyetjen e gazetarëve pas dorëzimit të donacionit për Klinikën për gjinekologji dhe obstetrikë.
Theksoi se konsultimet vazhdojnë, të gjitha opsionet janë të hapura, ndërsa para nesh, theksoi, është shumë me rëndësi edhe vendimi personal, gjegjësisht për çfarë persona bëhet fjalë.
“Shëndetësia është lartë në pritjet e qytetarëve. Nëse vjen nga Aleanca për shqiptarët atëherë nuk do të ketë rikonstruksion të Qeverisë. Nëse vjen nga ndonjë parti tjetër politike është logjike se Aleanca mbetet në koalicionin qeveritar dhe duhet të ketë vend ministror. Për këtë janë të hapura të gjitha mundësitë për debat. Vendimtare do të jenë emrat që na qëndrojnë në dispozicion dhe kush do ta ndërmerr këtë funksion përgjegjës”, tha Zaev.
Ai informoi se ka marrë emër si propozim nga Aleanca për shqiptarët për vendin e zbrazur ministror, por ka edhe emra tjerë që dëshirojnë t’i shqyrtojnë me qëllim që të merret vendimi më i mirë i mundshëm.
“Në vendimmarrje duhet të na prijë emri i kandidatit që të munden qytetarët, pacientët, mjekët, fella mjekësore t’i besojnë. Ky është minimumi që e presim, e pastaj së bashku me të gjithë shpresoj në reforma të suksesshme në shëndetësi për shkak se janë të domosdoshme”, tha Zaev.