Të gjithë pa dallim, duam të dimë sa jemi, kush jemi që të dimë se ku shkojmë dhe sa lartë do arrijmë! Është matematik e thjeshtë miq! Sepse, rrafshimi i përkatësisë etnike në petkun e përkatësisë gjuhësore e asaj fetare është një rrenë konformiste, padyshim që nuk sjell asnjë dobi praktike, por vetëm politizim te ri!
Nga Adelina MARKU
“Frikërat dhe rrenat të ushqejnë ty, njëjtë siç e kanë ushqyer tët atë!”, kështu i tha Presidenti i tanishëm i Francës kundërkandidates së tij , Le Pen, në një nga debatet nga fundi për zgjedhjet e fundit parlamentare të Francës . M’u kujtua ky emocion i tij, ngase sot – ideja mbi fuqinë e rrenës dhe frikës shkathtësisht po barabarëzohet me fuqinë e së vërtetës. Sa peshon rrena kur përgjigja qëndron në: për aq sa e vërteta? E sa peshon frika kur përgjigja qëndron në: për aq sa guximi?
Dhe …doemos që është e vështirë të guxosh me të vërtetën pas një periudhe të gjatë të gjëmimit mes rrenës dhe frikës! Kjo i ndodh edhe sot shoqërisë ku jetojmë ne bashkë miku im ose mikesha ime! Guximi ngadalë ngadalë ka ulur kokë dhe mundohet të gjejë një platformë të rrehatshme të veprimit mëtej! Por, ka një problem kapital këtu veçse, sidomos për atë që guxon fillimisht e që mëpastaj t’ia ulë kokën me vetëdorë guximit! Problemi konstaton si vijon: guximi vërtet ndihmon për të ngritur një popull të tërë mëkëmbë – në luftë kundër rrenës e frikës, por ky (guximi) mjaftoka deri në momentin kur arriheshka qëllimi! Pra deri në momentin kur bjen konjukutura e rrenës dhe frikës e ngritet konjuktura që e thanka të vërtetën. Por sa gjëmon e vërteta në vijim?!
Sigurisht që jo! Sepse, i guximshmi i deridjeshit tani është në kërkim të zonës së komforit me qëllim që të ndërtojë ideologjinë e veprimit ngadalë ngadalë. Ndërton “platformën e sigurisë së veprimit të mëtejshëm politik” – do e quanin disa!
Platformë e rehatshme politike vështirë dëshmohet për funksionale megjithatë! Sidomos kur sistemi është partiakisht i majorizuar e etnikisht i manipuluar deri në palcë! Aq më shumë kur shoqëria është kronikisht e ngarkuar me stereotipe nga më të vulgaret, e primitivet! Aty ku mbi stereotipet flitet formalisht, s’ka bukë! Aty ku vlon mediokriteti politik, s’ka vend për “guximin e idealistit”! Ose ose, aty ku përkatësia identitare shndërrohet në modele softweresh kontekstuale kulturore- ah, integrohet asimilimi, jo integrimi! E sidomos – sidomos, kur në emër të procesit që duheshka shkuar përpara, detyrohesh të bësh lëshime! Aha, edhe këtë e kapërdyem. Pra, qenka procesi me rrëndësi! Por cili proces e ka radhën tani, ose sa herë definoheshka/standardizoheshka ky proces? Ose sa herë kryheshka që të kthehet përsëri nga fillimi ky proces? Për mua një nga proceset shqetësuese që pjellën kjo “platformë drejt rehatisë politike” është edhe censusi ose numërimi i popullsisë , i cili paralajmërohet për t’u implementuar sipas një modeli të zgjedhur nga ekspertë! Është e vërtetë se ka modele të ndryshme të përcaktimit të numërimit të popullsisë, disa elemente (nr.shtëpive, përkatësia gjinore, përkatësia etnike etj) që zgjidhen për t’u integruar/numëruar verifikohen me qëllim për t’u shndërruar në politika zhvillimore më tej. Kështu është gjithandej nëpër botë. Numërimi i popullsisë në esencë është proces matematikor e që kryesisht bëhet për matje prodhimtarie e progresi ekonomik e me qëllim produktshmërie veprimi politik!
Po tek ne miq, ka një rrenë , apo një mister për të cilin flitet kuluareve qoshaxhike. Kjo rrenë që hidhet kuluareve qoshaxhike m’i ngjan asaj prostitutës që del në rrugë natën, sikur fshehtas! Njëjtë si puna e do gazetarëve por edhe politikanëve të cilët kishin kapur këtë prostitutë, e ishin kënaqur me aq…, ata pra nuk pyesin më gjatë se përse misteri nuk qartësohet! Nuk kërkojnë llogaridhënien ! Ata vetëm e qarkullojnë rrenën me lehtësinë e këmbimit të prostitutës , nga një kunj në tjetrin! Palaço, se jo gazetarë e as përfaqësues! Të rrxum n’gjunj! Rrena që hidhet ka të bëjë me misterin se përse nuk u bë numërimi i popullsisë në kohën kur duhej bërë. M’u si prostituta pra, natën flitet qosheve se nuk kishin rënë dakord për do parime dy liderët politikë të qeverisë së kaluar, për shkak të disa paqartësive politike që implikonte ky proces në kontekstin e atëhershëm politik! Po sot ç’thuhet se? Oh, thuhet e njëjta – mjafton të dëgjoni deklaratat e Shefit të Entit Statistikës. Pra, numërimi i popullsisë në Maqedoni shndërrohet në mjet për bërje platformë të rehatshme politike në momentin kur thuhet se për arsye të keqinterpretimeve/implikimeve politike në vend, nuk do parashtrohet pyetja se cilës etni i takoni, por cilën gjuhë e flisni e cilit besim fetar i takoni. Dmth ky arsyetim blozë është rezultat i ndërgjegjes së flliqun, për më shumë , përmban përsëri plot politikë! Cili është dallimi? Çka është komunitet linguistik para komunitetit etnik? Çka është komunitet fetar para atij etnik? Përse përcaktim linguistik e fetar po e jo etnik? Përse asnjëra e përse të gjitha pa përjashtim? Çfarë është prapavija? Përse implikon prapavijë e përsëri mister ky arsyetim i kryesuesit te Entit për Statistikë? A është ai që duhet të vendosë se si do bëhet regjistrimi i popullsisë? Cila është pedigreja e pesha e tij ne rëndësinë e vendimmarrjes lidhur me këtë proces? Pyetje që më vërshojnë në mëndje e që më ndjellin përsëri dyshimin! Miq, konteksti politik sot ka të bëjë me garantimin e një stabiliteti të veprimit të kësaj qeverie për të cilën thuhet, rrënoi rrenën dhe frikën që ndjellte qeveria e kaluar! Deri këtu dakord. Por , kjo qeveri ushtron me diktatin politik të një konformizmi social, i cili në mendimin tim do tregohet po aq i dëmshëm sa ç’ishte veprimi i së kaluarës.
E ky, konformizmi social ka të bëjë me ndryshimin e sjelljes, sidomos asaj publike , ka të bëjë me ndryshimin e besimeve , ideve , opinioneve ( formalisht ose jo) për t’iu përshtatur besimeve e standardeve të shumicës apo për t’iu nënshtruar presioneve sociale, të grupeve e individëve drejtues kryesisht. Është Erich Fromm që shkruan se konformizmi më tepër mund të kuptohet si një konsekuencë ( si një rrjedhojë e dëmshme ) e pashmangshme e vetë industrializmit të jetës , që fillimisht ka mundësuar asimilimin dhe shkrirjen e individualitetit të njeriut , e pastaj për shkak të humbjes së këtij uni , integrohet konformizmi si linjë karakteri e cila i largon( i hedh jashtë, i përjashton) dyshimet rreth identitetit . E si? E thjeshtë: duke KONFORMUAR me dëshirat e të tjerëve , përmes të mosqenurit ndryshe e për hir të njëfarë sigurie ( komfori) . Përmes identifikimit me të tjerët, njeriu pushon së qeni vetja dhe e përshtat tipin e personalitetit që i ofrohet nga modelet kulturore. Dhe pikërisht, ky model kulturor komformist i mënyrës se si është vendosur të qeverisë kjo qeveri implikon një interpretim “politikisht korrekt” mbi përse numërimi i popullsisë do bëhet pa identifikim etnik, por me identifikim gjuhësor e fetar.
E këtu alarmi im ndizet, sepse kjo lloj korrektësie politike të nderuar miq, më së paku i nevojitet procesit të numërimit të popullsisë! Të gjithë pa dallim, duam të dimë sa jemi, kush jemi që të dimë se ku shkojmë dhe sa lartë do arrijmë! Është matematik e thjeshtë miq! Sepse, rrafshimi i përkatësisë etnike në petkun e përkatësisë gjuhësore e asaj fetare është një rrenë konformiste, padyshim që nuk sjell asnjë dobi praktike, por vetëm politizim te ri!
Dhe vërtet’, pastaj do na thonë se: “Frikërat dhe rrenat të ushqejnë ty, njëjtë siç e kanë ushqyer tët atë!”.
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)