Julen Lopetegui do ta ndryshojë sërish mesfushën e tij këtë të mërkurë, në Sevilla. Isco ishte befasi, për shkak të mungesës së tij në seancën e fundit stërvitore, para udhëtimit për në “Sánchez Pizjuán”. Klubi i bardhë nuk ka ofruar shumë detaje në fillim, por më vonë lëshuar një raport mjekësor, që shpjegon problemin shëndetësor të Isco.
Mesfushori spanjoll vuan nga një apendisit akut dhe do t’i nënshtrohet një operacioni në orët e ardhshme. Kjo nënkupton se ai mund të qëndrojë rreth 1 muaj larg fushave të blerta. Edhe Carvajal nuk ishte në seancën e fundit, pasi vuan një problem muskular. Mundësi e re, pra, për Odriozola, i cili bëri debutimin e tij kundër Espanyol.
Mungesa e Isco, i cili vjen nga formacioni titullar madrilen, hap derën e Ceballos për aktivizim. Kroos do të kthehet dhe është e mundur që Modric të bëjë rrotacion kundër Sevilla. Kroati ishte në Londër, në ceremoninë e FIFA-s, ku u shpall “The Best” për vitin 2018. Para trajnimit të fundit, Modric e “ekspozoi” trofeun për shokët e tij, duke pozuar me të edhe fituesit e tjerë të Real Madridit (Ramos, Courtois, Varane dhe Marcelo). Një foto familjare…